
Një ngjarje e rëndë ka tronditur një komunitet në veri të Pensilvanisë, ku një 61-vjeçar vrau fqinjën e tij dhe më pas qëlloi ndaj oficerëve të policisë, duke plagosur dy prej tyre.
Sipas autoriteteve, Carmine Faino, 61 vjeç, qëlloi për vdekje Lori Wasko, 57 vjeçe, jashtë shtëpisë së saj në zonën rurale të Thompson, rreth 260 km në veri të Filadelfias. Më pas ai hapi zjarr ndaj oficerëve të patrullës shtetërore të Pensilvanisë dhe shërbimeve të emergjencës që mbërritën në vend, raporton The Guardian.
Koloneli i policisë shtetërore, Christopher Paris, deklaroi se autori përdori një armë gjysmë-automatike dhe qëlloi dhjetëra herë nga një pozicion strategjik, duke tentuar të godasë sa më shumë efektivë. Ai gjithashtu qëlloi edhe drejt një automjeti të urgjencës dhe rrëzoi një dron të policisë.
Gjatë përplasjes, dy oficerë të policisë shtetërore, Joseph Perechinsky dhe William Jenkins, mbetën të plagosur rëndë. Të dy ndodhen në gjendje të qëndrueshme në spital.
Pavarësisht plagëve, oficeri Perechinsky, i cili u qëllua dy herë në gjoks, arriti të ndihmojë kolegun e tij që të largohej nga zona e rrezikut. Ai gjithashtu ndaloi një kamion në lëvizje dhe i kërkoi shoferit të bllokonte rrugën për të parandaluar civilë të tjerë të hyjnë në zonën e rrezikut.
“Edhe i plagosur, ai mendonte vetëm si të mbronte të tjerët”, deklaroi Koloneli Paris. “I urdhëroi drejtuesit e mjeteve të ndalojnë, ndihmoi kolegët dhe shmangu një tragjedi më të madhe.”
Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, e quajti veprimin e tij heroik: “Perechinsky shpëtoi jetë sot. Ai përfaqëson më të mirën e Policisë së Shtetit të Pensilvanisë.”
Autori i armatosur, refuzoi të dorëzohej
Sipas policisë, Faino ishte i armatosur me armë dhe nuk pranoi të zbatojë urdhrat e forcave të rendit. Pas një shkëmbimi zjarri, autori u neutralizua dhe u vra në vendngjarje.
Incidenti ndodhi rreth 8 kilometra në veri të qytetit Thompson, në qarkun Susquehanna, një zonë që përshkruhet si tepër e qetë dhe pa precedentë të ngjashëm dhune.
“Është e frikshme. Ky është një komunitet i vogël, i heshtur. Kurrë s’kemi parë diçka të tillë këtu”, tha Erika Mills, banore e zonës.
Hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa autoritetet po analizojnë të shkuarën e autorit për të kuptuar motivet që çuan në aktin tragjik.
Top Channel