
Mbrojtja Civile në Rripin e Gazës paralajmëroi sot për “rreziqe në rritje” të lëndimeve dhe vdekjeve midis civilëve nga dërgesat e ndihmave që hidhen nga ajri në enklavën palestineze.
“Sot, Karam al-Kahlut, 19 vjeç, u plagos rëndë nga rënia e një kutie me ndihma në rrugën Al-Jalaa, në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës”, tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bashal për Agjencinë Franceze të Lajmeve.
“Këto hedhje ndihmash nga ajri përbëjnë një rrezik shumë të lartë për jetën e civilëve. Lëndime dhe vdekje të shkaktuara nga pakot e rënda që bien mbi kokat e njerëzve në zonat me popullsi të dendur regjistrohen çdo ditë”, theksoi ai.
“Për më tepër, grumbullimi i qindra njerëzve në zonat ku hidhet ndihma shpesh çon në lëndime dhe në disa raste vdekje për shkak të shkeljes ose rënies”, shtoi Bassal, i cili u bën thirrje donatorëve ndërkombëtarë dhe organizatave humanitare të miratojnë metoda të sigurta dhe të organizuara për shpërndarjen e ndihmës, përmes kalimeve tokësore dhe me koordinim në terren.
Pas 22 muajsh të një lufte shkatërruese, e cila filloi më 7 tetor 2023 me sulmin e përgjakshëm të Hamasit në territorin izraelit nga Gaza, enklava e vogël palestineze kërcënohet nga një “uri e përgjithshme”, sipas OKB-së dhe është plotësisht e varur nga ndihma humanitare, e cila shpërndahet në sasi të pamjaftueshme, sipas anëtarëve të organizatave humanitare.
Sot, ushtria izraelite njoftoi, se Jordania, Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe Emiratet e Bashkuara Arabe hodhën nga ajri 67 ton ndihmë humanitare në Gaza.
Top Channel