Grabitet gjatë natës vila e ‘showman-it’ italian, hajdutët marrin mbi 300 mijë euro bizhuteri dhe orë luksoze

08/08/2025 15:55

Një bandë grabitësish profesionistë ka hyrë gjatë natës në vilën e showman-it të njohur italian, Rosario Fiorello, në lagjen via della Camilluccia, në Romë.

Sipas të përditshmes italiane Il Messaggero, autorët arritën të çaktivizojnë sistemin e alarmit dhe të hyjnë nga një derë dritare, duke grabitur një shumë të konsiderueshme me bizhuteri dhe sende me vlerë.

Nga vlerësimet paraprake, dëmi i shkaktuar kap vlerën e mbi 300 mijë eurove. Midis sendeve të vjedhura përmenden ar, gjerdanë luksoze, gurë të çmuar dhe disa orë të shtrenjta. Të dhënat e para sugjerojnë se grabitësit kanë vepruar me përpikëri, duke njohur mirë ambientin dhe duke shmangur çdo gjurmë.

Policia dhe Njësia e Shkencës Kriminale kanë nisur hetimet, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Mendohet se banda ka përdorur doreza latex për të shmangur lënien e gjurmëve të gishtërinjve.

Në momentin e grabitjes, familja e Rosario Fiorellos ndodhej jashtë qytetit, ndërsa ishte shërbyesja ajo që zbuloi gjithçka dhe njoftoi policinë, pasi kishte çelësat e banesës.

Autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa ngjarja ka shkaktuar bujë në median italiane për shkak të profilit të lartë të viktimës.

Top Channel