Atentati ndaj bosit të krimit në Budva shkakton radhë të gjata, 70 km trafik në pikën kufitare të Muriqanit

08/08/2025 15:39

Pak kush do ta kishte menduar se një atentat në Budva do të shkaktonte trafik e radhë të gjata plot 70 kilometra më larg, në pikën kufitare të Muriqanit.

Mbrëmjen e kaluar dhe deri në mesditën e sotme, qindra automjete kanë pritur me orë të tëra për të kaluar kufirin drejt Shqipërisë.

Shkak u bë niveli i lartë i alarmit që Policia malazeze vendosi në gjithë territorin, pas ngjarjes së rëndë në Budva.

Uniformat blu nuk aplikuan procedurat e përshpejtuara, duke ushtruar kontrolle të imtësishme ndaj të gjithë shtetasve të moshës 18-35 vjeç, profil që i afrohej autorit të dyshuar. Dyshohej se atentatori mund të tentonte arratisjen drejt Shqipërisë.

Pasi pritjet shumëorëshe krijuan radhë deri në 5-6 kilometra në Muriqan, mesditën e sotme, me kërkesë të qeverisë shqiptare, procedurat e përshpejtuara u rikthyen.

Por, sapo kaluan kufirin, qindra emigrantë dhe turistë u përballën me një tjetër “ngushticë” të trafikut hyrjen e qytetit të Shkodrës, ku radhët për të kaluar urën e Bunës shkonin deri në 5 kilometra.

Hyrja e Shkodrës vijon të mbetet pika më problematike e qarkullimit , ku çdo ditë formohen radhë kilometrike për hyrje e dalje nga qyteti.

Top Channel