5 muaj ofensivë, 50 mijë ushtarë! Plani i Netanyahut për Gazën: Do t’ia japim arabëve!

08/08/2025 13:07

Kabineti izraelit i sigurisë i dha OK-in planit të propozuar nga Benjamin Netanyahu, që ushtria e shtetit hebre “të marrë kontrollin” e Qytetit të Gazës.

Sipas planit që pretendohet se synon”mposhtjen” e Hamasit – në enklavën e gjunjëzuar nga konflikti, forcat izraelite do të marrin Qytetin e Gazës, teksa njëkohësisht do të shpërndajë ndihma humanitare për popullatë civile jashtë zonave të luftimeve”. I përballur me presione të mëdha si brenda ashtu edhe nga jashtë kufijve për t’u tërhequr nga territori palestinez dhe për lirimin e pengjeve, Netanyahu njoftoi se  Izraeli planifikon që të marrë kontrollin e plotë të Gazës, por shtoi se nuk synon që të qeverisë me këtë territor.

“Izraeli dëshiron të krijojë një perimetër sigurie dhe t’ia dorëzojë territorin palestinez forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet, pa na kërcënuar dhe duke u ofruar palestinezëve në Gazë një jetë të mire. Dhe me Hamasin, një gjë e tillë nuk është e mundur”, shprehet Netanyahu.

Disa ende shpresojnë se vala në rritje e tankeve, avionëve luftarakë, dronëve dhe automjeteve të blinduara do ta bindë Hamasin të lirojë pengjet dhe të shpërbëhet. Të tjerë, megjithatë, kanë bindjen se pushtimi është hapi i parë drejt aneksimit, me gjithçka që vjen pas tij: qytete/kampe përqendrimi humanitare, emigrim/deportim vullnetar dhe, së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, jetësimi i Rivierës Trump, pra zgjerimi i Izraelit.

Të dhënat nga mediat lokale dhe analiza që bën Instituti Izraelit për Studime të Sigurisë Kombëtare, lënë të kuptohet se pushtimi do të ndodhë në faza: së pari marrja e Veriut të territorit, pastaj zgjerimi në Jug. Llogaritet të përfshihen afërsisht pesë divizione, me një minimum prej 50,000 ushtarësh, ndërsa ofensiva të zgjasë pesë muaj me një kosto prej 18 milionë eurosh në ditë. Pas raportimeve për zgjerimin e mundshëm të ofensivës në Gazë, në Izrael janë rritur shqetësimet se çfarë mund të nënkuptojë kjo për pengjet që ende mbahen në territorin palestinez. Teksa është mbajtur mbledhja e kabinetit të sigurisë, para Zyrës së Netanyahut qindra protestues kërkuan një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Top Channel