
Ministria e punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar arrestimin e Behar Preniqit nga autoritetet e Serbisë.
Ai thuhet se u ndalua dje në kufirin serbo-kroat.
“Rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua dje në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e MOJD.
Tutje bëhet e ditur se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, pas kontaktit me familjen e z. Preniqi, është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast.
“Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Preniqi dhe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij. Përveç kësaj, rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi si dhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it”, thonë nga MPJD.
Ky institucion shton se nëse ndaj Preniqit vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të kërkuar një vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij.
MPJD u bën thirrje përsëri të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë. Derisa i bëhet thirrje edhe Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë ndaj praktikave represive të Serbisë.
Top Channel