Papa Leoni merr pjesë në Jubileun e Rinisë, mesazh për të rinjtë e Gazës dhe Ukrainës: Jemi pranë tyre!

03/08/2025 14:10

Papa Leon ka përcjellë një mesazh të fuqishëm solidariteti gjatë Jubileut të Rinisë, një ngjarje që mblodhi mbi një milion të rinj katolikë në kampusin universitar të Tor Vergatës në Romë.

Në një fjalim të mbajtur përpara turmës së mbledhur, Papa kujtoi të rinjtë e vendeve të përfshira nga konfliktet, të cilët nuk patën mundësi të merrnin pjesë në këtë event.

“Jemi më afër se kurrë të rinjve që vuajnë nga të këqijat më të rënda, të shkaktuara nga qeniet e tjera njerëzore. Ne jemi me të rinjtë e Gazës, me të rinjtë e Ukrainës, me të rinjtë e çdo vendi të përgjakur nga lufta,” tha më tej Papa Leon, duke theksuar nevojën për një botë më të drejtë dhe paqësore.

Ai iu drejtua të rinjve si shpresë për ndryshim, duke thënë “Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, ju jeni shenja se një botë tjetër është e mundur. Një botë vëllazërie dhe miqësie, ku konfliktet nuk zgjidhen me armë, por me dialog.”

Papa Leon është takuar më herët edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, gjatë vizitës së tij në Romë me rastin e meshës së inaugurimit në muajin maj.

Top Channel