Dy penalltitë e Balajt nuk i mjaftojnë Vllaznisë, shkodranët bien në kohën shtesë në transfertën e Islandës

31/07/2025 23:24

Vllaznia i ka dhënë fund aventurës së saj europiane, pas disfatës në ndeshjen e kthimit përballë Vikingur Reykjavik, duke u mundur vetëm pas kohës shtesë 4-2.

Edhe pse fituan takimin e parë, shkodranët bënë të pamundurën për t’u kualifikuar, por një gol në fund dhe një shtesë ishin ato që i dhanë fund ëndrës europiane.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 10’ me anë të Hafsteinsson, por Balaj barazoi falë një penalltie në minutën e 26’.

Pjesa e dytë nisi po njësoj për islandezët, të cilët kaluan sërish në avantazh, kësaj radhe me Hansen në minutën e 55’.

Ne minutën e 85’, ishte sërish Balaj që barazoi pësëri me një penallti, por shpresa e shkodranëve u venit pas një minute, kur sërish Hansen kaloi në avantazh vendasit dhe çoi sfidën në shtesë.

Në kohën shtesë, islandezët shënuan dhe golin e katërt me Thorkelsson, ndërsa shkodranët e mbyllën takimin me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Tafilit në minutën 112’.

Kështu Vllaznia mbyll aventurën e saj europiane në turin e dytë të Conference League, teksa Edi Martini do të duhet të nisë përgatitjet për startin e kampionatit.

REZULTATI:

Vikingur Reykjavik 4-2 Vllaznia

Hafsteinsson 10’, Hansen 55′, 86′, Thorkelsson 94’/ Balaj (P) 26’, (P) 85′

Top Channel