
Dogana shqiptare ka regjistruar performancën më të lartë të arritur ndonjëherë në arkëtimin e të ardhurave.
Në 6-mujorin e parë të 2025, 113.7 miliardë lekë kanë hyrë në buxhetin e shtetit, duke realizuar në masën 100% planin e përgatitur. Ose thënë ndryshe, 3.7 miliardë lekë apo 37 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Performanca e lartë e administratës doganore ka bërë që vetëm në harkun kohor të 24 orëve të realizohen një sërë procedurash dhe të arkëtohen mbi 12 milionë euro.
“Në 24 orë dogana shqiptare arkëton 9-12 milionë euro të ardhura për buxhetin e shtetit, proceson mbi 3100 deklarata doganore, kontrollon dhe mbikëqyr 28.310 automjete dhe 107 mijë pasagjerë. Analizon 50 mostra në Laboratorin Doganor me standard ISO. Kryen 718 skanime dhe 20 kontrolle për mallra akcize”, raporton Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Zhvillimi i turizmit i shoqëruar edhe me rritjen e konsumit kanë bërë që sasi të konsiderueshme të mallrave të akcizës të zhdoganohen. 44 mijë tonë karburant, 96 tonë cigare, 97 tonë kafe dhe 4.770 tonë birrë kanë hyrë më shumë në territorin shqiptar në periudhën janar-qershor, krahasuar me 6-mujorin e 2024, duke rritur arkëtimet ndjeshëm.
Sipas administratës doganore, një përqindje të caktuar në performancën e mirë të të ardhurave e reflekton edhe fitimi i çështjeve ligjore: “Dogana Shqiptare fiton 80% të çështjeve ligjore me impakt mesatar vjetor rreth 24 milionë euro për buxhetin e shtetit.”
Për të garantuar luftën kundër tregtisë së paligjshme, sigurinë kombëtare dhe mbështetjen e biznesit të ndershëm, administrata doganore ka në dispozicion 1200 punonjës të shpërndarë në 18 degë dhe 16 zyra doganore.
Top Channel