Video/ Në të njëjtin ekran si CEO i Astronomer, Messi shfaqet me Antonelën në koncertin e Coldplay dhe “çmendin” turmën

28/07/2025 13:25

Ndërsa para pak kohësh një moment romantik në një koncert të Coldplay bëri xhiron e rrjeteve sociale – për të gjitha arsyet e gabuara – kësaj here është Lionel Messi ai që po rrëmben vëmendjen, por me një prani krejt ndryshe.

Ylli i futbollit dhe bashkëshortja e tij, Antonela Roccuzzo, u panë duke shijuar koncertin e Coldplay në Hard Rock Stadium të Miamit, ku u kapën nga kamera e madhe e skenës (jumbotron) dhe reagimi i tyre ishte gjithçka që fansat mund të kishin shpresuar: thjeshtësi, elegancë dhe dashuri.

“Messi nuk u fsheh,” shkruan llogaria në X “Coldplay Access”, duke ironizuar me rastin e mëparshëm kur CEO i Astronomer, Andy Byron, dhe drejtuesja e HR, Kristin Cabot, u përpoqën të shmangnin vëmendjen pas një momenti në “kiss cam” që u bë viral dhe solli jo pak polemika. Ndryshe nga ta, Messi dhe Antonela u shfaqën me buzëqeshje të ngrohtë, duke përshëndetur turmën dhe duke e kthyer koncertin për një moment në një skenë si nga Kupa e Botës.

“Oh hej aty, Messi!” shkruante llogaria zyrtare e stadiumit në X, ndërsa videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale. Fansat nuk nguruan të komentojnë duke e quajtur valën e Messit “mbretërore” dhe praninë e çiftit si një shembull i klasit dhe përulësisë.

Për shumë ndjekës, ishte një tjetër dëshmi që, edhe në botën e yjeve dhe superfuqisë së famës, respekti dhe dashuria e qetë mbeten më të fortat se çdo skenë artificiale. Messi dhe Antonela e treguan këtë në më pak se dhjetë sekonda video.

Top Channel