
FIFA ka ndëshkuar Serbinë me mbyllje të pjesshme të stadiumit në ndeshjen që do të luajë kundër Anglisë muajin e ardhshëm në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës, pas sjelljes raciste të disa tifozëve gjatë fitores 3-0 ndaj Andorrës në qershor, njoftoi të enjten Federata Serbe e Futbollit (FSS).
Serbia, e cila gjithashtu u gjobit me 50,000 franga zvicerane (62,877 dollarë), duhet të mbajë të mbyllur të paktën 15% të kapacitetit pas portave në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd kur të presë Anglinë për ndeshjen e Grupit K më 9 shtator, shtoi FSS.
“Federata e Futbollit të Serbisë u bën sërish apel tifozëve… të kujtojnë se FSS është nën monitorim të posaçëm nga organet disiplinore të FIFA-s dhe UEFA-s dhe se ka zero tolerancë për shkeljet e rregullave dhe ligjeve,” thuhet në një postim në platformën X.
Serbia u ndëshkua edhe vitin e kaluar nga UEFA me mbyllje të pjesshme të stadiumit për sjelljen e tifozëve gjatë Ligës së Kombeve.
Serbia, që ndodhet në vendin e tretë në grup, do të udhëtojë drejt Letonisë më 6 shtator, përpara se të presë liderët e grupit, Anglinë, që deri tani kanë fituar të tria ndeshjet e tyre. Fituesi i grupit me pesë skuadra kualifikohet direkt në Kupën e Botës 2026, ndërsa vendi i dytë kalon në fazën e “playoff”-it.
Top Channel