
Sigurimi i banesave nga tërmetet do të jetë i detyrueshëm dhe do të ofrohet nga vetë shteti.
Është ky propozimi i hedhur për konsultim nga Ministria e Financave, i hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Në një periudhë kur Shqipëria është një vend i ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore, qeveria vjen me një tjetër nismë.
Për vënien në funksion, qeveria do të krijojë një Fond Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm, ku Autoriteti Publik që përfaqëson shtetin si pronar do të jetë vetë ministria përgjegjëse.
“Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet mbulon vetëm dëmet materiale në pronën e siguruar gjatë periudhës së vlefshmërisë së policës, duke përjashtuar dëmtimet trupore, dëmet jopasurore, sendet brenda banesës, shpenzimet për pastrimin e mbetjeve dhe humbjet financiare.”
Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre. Ndërsa për shtresat në nevojë, primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet do ta financojë buxheti i shtetit. Por çfarë ndodh për ata qytetarë që nuk do ta paguajnë primin e sigurimit?
“Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve në zbatim të këtij ligji, i nënshtrohen masave shtrënguese si më poshtë:
Nuk marrin shërbime kadastrale;
Nuk marrin shërbime nga e-Albania;
Nuk marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.”
Ende nuk është përcaktuar një përllogaritje se sa do të jetë primi i sigurimit për një qytetar që siguron një pronë.
Top Channel