Alarmohet Europa, avioni me një pasagjer të infektuar me hantavirus zbarkon në Amsterdam, transferohet menjëherë në spital
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është zgjedhur nga revista amerikane TIME për të qenë në kopertinën e numrit të saj më të fundit.
Artikulli shoqërues mban titullin: “Ku po e udhëheq Giorgia Meloni Evropën?”, duke analizuar rolin në rritje të lideres italiane në skenën europiane dhe më gjerë.
Në intervistën për revistën, Meloni thekson: “Unë besoj se duhet të mbrojmë atë që jemi: qytetërimin tonë, identitetin tonë, kulturën tonë.” Ajo e përkufizon nacionalizmin e saj si një formë vetëmbrojtjeje ndaj globalizmit, për të cilin thotë se “nuk ka funksionuar.”
TIME i kushton hapësirë edhe pozicionit të saj në politikën ndërkombëtare, duke përmendur mbështetjen që Meloni i ka dhënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe mënyrën sesi ajo komunikoi këtë qëndrim gjatë një takimi me ish-presidentin amerikan Donald Trump.
“Trump e dëgjoi, u përgjigj, por pa krijuar hidhërim,” shkruan revista. Meloni e komentoi takimin duke thënë: “Ne të dy jemi luftëtarë.”
Artikulli ndalet edhe në detaje më personale nga jeta e kryeministres. Motra e saj, Arianna Meloni – gjithashtu koordinatore e partisë Vëllezërit e Italisë – rrëfen se babai i tyre i braktisi kur ishin fëmijë: “Kjo tregon se, thjesht, nuk ishte i interesuar për ne.”
Në pjesë të tjera të intervistës, Meloni përpiqet të sqarojë pozicionet e saj përballë kritikave të shumta që i adresohen brenda dhe jashtë Italisë: “Më kanë akuzuar për gjithçka – nga lufta në Ukrainë deri te vdekja e njerëzve në Mesdhe. Ata thjesht nuk kanë argumente. Unë nuk jam raciste, nuk jam homofobe, nuk jam asgjë nga ato që thonë për mua.”
Revista TIME e portretizon Melonin si përfaqësuese të një forme të re nacionalizmi – rajonaliste, populiste, por njëkohësisht pro-perëndimore dhe e lidhur fort me vlerat transatlantike.
Në fund të bisedës me gazetarin Massimo Calabresi, kryeministrja italiane e pyet me ton reflektues: “A jeni një person i ndershëm? Ajo që po bën qeveria ime, kjo përvojë… ju kujton fashizmin në ndonjë mënyrë?”
Top Channel