
Pa para në xhep, vetëm pagesa elektronike – kjo është forma e re e ekonomisë drejt së cilës synon të ecë Shqipëria deri në vitin 2030, përmes digjitalizimit dhe reformimit të sistemit të pagesave.
Qeveria është e angazhuar të ndërtojë kushtet infrastrukturore, ligjore dhe kulturore për të arritur këtë objektiv, në bashkëpunim me institucionet kryesore të vendit. Një rol kyç në këtë transformim do të ketë Banka e Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko, në një intervistë për Top Channel, ndau detaje mbi hapat konkretë të kësaj nisme.
“Kryeministri ka pasur në fokus formalizimin e ekonomisë, modernizimin e sistemeve të pagesave dhe digjitalizimin e tyre në Shqipëri, dhe Banka Qendrore është duke punuar intensivisht në këtë drejtim. Folëm për SEPA-n, që ecën paralelisht me objektivin për uljen e përdorimit të cash-it jashtë dhe brenda sistemit bankar. Një tjetër projekt madhor po zhvillohet në bashkëpunim me Bankën e Italisë, e cila ka marrë përsipër ta implementojë. Bëhet fjalë për një sistem transfertash të shpejta dhe të vogla, që do të mundësojë kryerjen e pagesave përmes celularit dhe kanaleve elektronike, në kohë reale. Kjo do të jetë një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe modernizimit të sistemit të pagesave, në përputhje me objektivat e qeverisë.”, shprehet Gent Sejko, guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Projekti “Open Banking”, i cili tashmë ka përfunduar teknikisht, si dhe SEPA që pritet të bëhet operacional më 7 tetor 2025, së bashku me sistemin e pagesave të menjëhershme (“Instant Payment”), do të sjellin reduktimin e përdorimit të parasë fizike dhe rritjen e digjitalizimit në ekonominë shqiptare.
Guvernatori Sejko tregoj më tej se në çfarë faze ndodhen bankat shqiptare në përshtatje me SEPA-n dhe si do të nisë konkretisht zbatimi i skemës për pagesat në euro.
“Gjatë këtij viti, vëmendja është përqendruar në përgatitjen e bankave për të qenë funksionale dhe operacionale. Të gjitha bankat kanë aplikuar individualisht dhe janë pranuar. Konkretisht, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave, po punon për përgatitjen konkrete që më 7 tetor bankat të jenë gati për funksionimin e plotë në skemën SEPA. Vetëm në vitin e parë pas implementimit, ekonomia shqiptare pritet të përfitojë rreth 20 milionë euro në kursime, shifër që do të vijojë të rritet me kalimin e kohës.”, shtoi Sejko.
Përtej kursimeve, do të rritet edhe siguria e transaksioneve. Jetojmë në një kohë të ndjeshme, ku sulmet kibernetike janë një kërcënim real. Për më tepër, pjesëmarrja në SEPA është një kriter garancie – në aspektin e integrimit financiar, do të konsiderohemi si një vend i Bashkimit Evropian.”
Megjithëse këto reforma përbëjnë një hap përpara drejt integrimit europian dhe modernizimit të sistemit financiar, Guvernatori Sejko veçon edhe sfidën më të madhe që vendi po kalon.
“Sfida kryesore është formalizimi i ekonomisë. Në kuadër të integrimit të saj në BE, kemi ende shumë punë për të bërë. Banka e Shqipërisë po ndërmerr nisma që integrimi financiar të realizohet në mënyrë të drejtë dhe të shpejtë. Formalizimi, ndërtimi i shtetit ligjor dhe reformat strukturore në arsim dhe edukim janë thelbësore. Ne po përpiqemi të realizojmë të gjitha detyrat tona brenda kuadrit ligjor që të jemi në avangardë të këtij procesi.”, përfundoi guvernatori.
Top Channel