
Projekti për Parkun Fotovoltaik në qytetin e Belshit, i cili do t’u ofrojë energji rreth 50 mijë qytetarëve të Republikës, ka nisur të marrë jetë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë dhe grantit për financimin e projektit për ndërtimin e tij.
“Ky është një projekt shumë i dashur për ne të Ministrisë, sidomos për KESH. Është ngjizur në periudhën e krizës energjetike, ku BE dhe përfaqësuesit e BE-së hapën një thirrje për projekte të dedikuara për ngritjen e kapaciteteve për projekte të rinovueshme. Kjo thirrje rezultoi e suksesshme për ne, sepse arritëm të marrim një mbështetje granti, 9.58 milionë euro, që është 23% e vlerës së investimit, ndërkohë e shoqëruar nga një hua nga BERZH, që ekuivalon në 30 milionë euro”, u shpreh Balluku.
Dymbëdhjetë muaj do të jenë të nevojshme për ndërtimin e parkut fotovoltaik, sipas zëvendëskryeministres. Ajo gjithashtu njoftoi se pronat që nuk përdoren për qëllime bujqësore apo prodhimi do të vihen në ankande ndërkombëtare për zhvillimin e energjisë së rinovueshme.
“Ne mund të arrijmë që të gjitha këto sipërfaqe të disponohen për ankande ndërkombëtare, por duke bërë bashkitë e vendit partnere në këtë proces dhe duke iu garantuar përfitimin që u takon”, shtoi zëvendëskryeministrja.
Ajo theksoi se ky vendim vjen pas kërkesave të sektorit privat për marrjen me qira të pronave, por bashkitë nuk kanë kapacitete për të organizuar ankande të tilla.
Top Channel