
Ligji i arsimit të lartë do të rishikohet. Kështu tha kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Raportin e Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Rama gjithashtu theksoi ndër të tjera se “Për t’iu dhënë vajzave dhe djemve të këtij vendi, por dhe të tjerëve që mund të vijnë të studiojnë në Shqipëri, një ofertë akademike serioze dhe konkurruese, në kushtet ku së shpejti Shqipëria do të bëhet dhe anëtare e Bashkimit Europian, kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurrim ato që janë tanimë qartësisht të domosdoshme për t’u adresuar, duke filluar edhe nga një rishikim i ligjit të arsimit të lartë, nga maja e një eksperience të akumuluar, por edhe e shumë të rejave që kanë ndodhur në botën akademike.”
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj! Ky është një takim që e kërkuam për një bilanc të domosdoshëm të punës intensive në një katër vjeçar kohor të bordit të akreditimit, i cili meriton respekt dhe falënderime për angazhimin, dhe patjetër kam mbledhur një tërësi të konsiderueshme të dhënash dhe një volum të konsiderueshëm eksperence për t’ia vënë në shërbim komunitetit akademik, për t’ia vënë në shërbim institucioneve të arsimit të lartë, institucioneve që administrojnë arsimin e lartë dhe patjetër dhe institucioneve përkatëse të qeverisë shqiptare.
Dua t’i falënderoj me shumë mirënjohje anëtarët e bordit, të cilët siç e dinë janë personalitete shqiptarë dhe të huaj, të angazhuar në botën akademike europiane dhe i kanë vënë në dispozicion vendit tonë, i kanë vënë në dispozicion bordit, dijen e tyre, përkushtimin e tyre dhe sigurisht dhe integritetin e tyre profesional.
Nga ana tjetër, dua të them që nga një paraqitje e përmbledhur e atyre që ju do të dëgjoni në mënyrë më shteruese nga zonja Telhaj që është dhe drejtuesja e bordit, del shumë qartë, qoftë progresi i bërë në këto vite, qoftë dhe volumi jo i vogël i gjërave që mbeten për t’u bërë dhe ndërkohë, që ne patjetër ecim përpara, nuk ka diskutim që bota fluturon dhe për të kapur ritmin dhe për t’iu dhënë vajzave dhe djemve të këtij vendi, por dhe të tjerëve që mund të vijnë të studiojnë në Shqipëri, një ofertë akademike serioze dhe konkurruese, në kushtet ku së shpejti Shqipëria do të bëhet dhe anëtare e Bashkimit Europian, kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurrim ato që janë tanimë qartësisht të domosdoshme për t’u adresuar, duke filluar edhe nga një rishikim i ligjit të arsimit të lartë, të cilit i janë bërë vitet për t’u riparë nga maja e një eksperience të akumuluar, por edhe e shumë të rejave që kanë ndodhur në botën akademike.
Nga ana tjetër, dua të ndaj me ju një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe do t’iu sugjeroja modestish që të gjeni pak kohë dhe të shikoni nga afër, eksperiencën e Universitetit Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim me universitetin BOKU të Vienës. Një eksperiencë që realisht është një laborator për të parë dhe për të kuptuar qoftë distancat që na ndajnë nga ekselenca europiane, por qoftë dhe mekanizmat që mund të na afrojnë me ekselencën europiane.
Rektori i universitetit së bashku me ekipin e tij, patjetër edhe me mbështetjen tonë, ka angazhuar trupën në një proces transformimi rrënjësor, dhe faktikisht universiteti nga pikëpamja e reformës ka hapur një proces reformimi të panjohur më parë në botën akademike shqiptare. Një proces reformimi që vjen si rezultat pikërisht i ndërveprimit intensiv me universitetin BOKU të Vienës dhe i përafrimit të programeve me atë universitet për t’i dhënë mundësi sinergjisë mes dy universiteteve që të shkojë përtej ushtrimit të bashkëpunimeve të cilat ne i kemi njohur deri sot që janë bashkëpunime pozitive, por që mbeten bashkëpunime si midis shtetesh të ndryshme, ndërkohë që bashkëpunimi i Universitetit Bujqësor me Universitetin BOKU të Vienës është një bashkëpunim integrues për të bërë të mundur që në Shqipërinë 2030 diplomat e Universitetit Bujqësor të Tiranës të jenë të barasvlershme me diplomat e universitet të Bokut të Vjenës dhe faktikisht UBT bëhet një pikë referimi në të gjithë rajonin tonë për studimet e ekselencës në fusha, të cilat ndryshe nga ç’mund të mendohej deri një dekadë më parë, janë bërë dhe po bëhen gjithnjë e më prioritare në jetën e përditshme të njerëzve dhe që lidhen me sfida të jashtëzakonshme, që kanë të bëjnë më zhvillimin e qëndrueshëm, me mbrojtjen e mjedisit, me të gjitha qasjet e reja për shfrytëzimin e burimeve natyrore, me ushqimin e sigurte e kështu me radhë.
Dhe kam shumë dëshire të besoj që ky transformim i universitetit do të rrisë edhe kërkesën e vajzave dhe djemve që mbarojnë shkollën e mesme për këtë universitet sepse pajisja me diplomat e këtij universiteti do të jetë një garanci për t’u vënë në shërbim të institucioneve apo të sipërmarrjes në një kohë kur siç e thashë sfidat dhe produktet më të cilat lidhet jeta e UBT bëhen gjithmonë e më strategjike.
E solla këtë shembull për t’ju thënë që do të ishte shumë e vyer për ju, që merreni drejtpërdrejtë me këtë punë, ta shikoni nga afër se çfarë është bërë në atë proces dhe çfarë po bëhet, por dhe për të kuptuar se çfarë sfidash dalin për të arritur në atë lloj sinergjie dhe për parë drejtpërdrejtë sesi procesi i integrimit me një universitet ndër më të kuotuarit e botës kërkon një ndryshim edhe të sistemit tonë të organizimit, kërkon një ndryshim përmbajtjesor në ligjin e arsimit të lartë dhe kërkon një ndryshim patjetër edhe në qasjen menaxheriale të universiteteve.
Këto ishin ato që doja unë të thoja pa u zgjatur dhe përsëritur çka ministrja preku me shpejtësi si pika kryesore dhe për t’i dhënë anëtarëve të bordit, duke filluar nga kryetarja e bordit, zonja Shqiponja Telhaj kohen e nevojshme që të paraqesin gjetjet e tyre dhe që të ndajnë me ju dhe me ne se cilat janë sipas tyre sfidat kryesore me të cilat duhet të përballemi të gjithë së bashku.
Shumë faleminderit edhe një herë për praninë tuaj dhe shpresoj që të jetë një ndërveprim që t’ia vlejë përpara pushimeve dhe në ndërkohë që të gjithë ju jeni në ethet e përgatitjeve për një vit të ri akademik.
Top Channel