“Ku do e shesim qumështin”/ Në Korçë mungon një rrjet për grumbullimin e prodhimit të blegtorisë

19/07/2025 12:14

Prej vitesh, në qarkun e Korçës blegtorët mbështeten tek tregtia ambulante për të shitur qumështin dhe nënproduktet e tij.

Por aksioni i ditëve të fundit për t’i larguar nga rruga me qëllim krijimin e një sistemi ku çdo hallkë e zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të këtyre nënprodukteve të jetë i pastër, ka shkaktuar pakënaqësi tek fermerët.

Nga ana tjetër ekspertet e sigurisë ushqimore por edhe konsumatorët kërkojnë më shumë standarde për produktet që konsumojnë.

Për banorët e Korçës rritja e sigurisë ushqimore për konsumatorin është e nevojshme ashtu sikundër edhe ruajtja e balancës për të mos dëmtuar financiarisht fermerët dhe blegtorët

Për pedagogun dhe ekspertin e sigurisë ushqimore Alfred Gjata risqet që kanosen nga tregtimi në kushtet aktuale dhe mungesa e gjurmueshmërisë së qumështit apo nënprodukteve të tij janë të larta dhe ndërhyrja është e domosdoshme.

Ndërsa autoritetet synojnë të garantojnë më shumë siguri për konsumatorin dhe të formalizojnë tregun, fermerët kërkojnë mbështetje për të mos u përjashtuar nga ekonomia.

Zgjidhja, sipas tyre, nuk qëndron tek ndalimet e menjëhershme, por në gjetjen e mekanizmave që ruajnë njëkohësisht sigurinë ushqimore dhe jetesën e prodhuesve të vegjël.

Top Channel