“Traktati i energjisë, rëndësi për negociatat” Balluku: Shqipëria e gatshme për bashkëpunim energjetik rajonal

18/07/2025 15:19

20 vjet pas krijimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, liderët botërorë u mblodhën në Athinë, në një takim për të diskutuar të ardhmen e këtij traktati.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënvizoi rëndësinë e rolit që ka Shqipëria në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave dhe bashkëpunimit rajonal.

“Por mbi të gjitha, ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor. Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatorë të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbër”, tha Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministrja nënvizoi si të rëndësishme edhe intesifikimin e punës në lidhje me linjat e interkonjeksionit.

“Unë uroj shumë në këtë 20-vjetor që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën e tyre sa më të lehtë drejt sigurimit të energjisë, nga ana tjetër sidomos përsa i përket pjesës së interkonjektivitetit që është një çështje e rëndësishme që diskutohet në tavolinat tona, por që nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë, ashtu siç Shqipëria tashmë është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, me Greqinë dhe jemi duke punuar intensivisht për një lidhje nën ujore me Italinë”, u shpreh Balluku.

Sektori energjetik shqiptar sipas zv.kryeministres ka në fokus ruajtjen e stabilitetit të furnizimit me energji në Ballkanin Perëndimor.

 

Top Channel