“Kujdes me faturën për fermerët”/ Unioni i Tregut Agro-Ushqimor: Dakord me formalizimin, por gjobat dhe sekuestrimi nuk ndihmojnë

16/07/2025 19:45

Çdo mall i blerë nga fermeri, qoftë qumësht, mish apo perime, duhet të shoqërohet me faturë fiskale, për të vërtetuar transaksionin dhe origjinën.

Në të kundërt, shitësi do të përballet me gjobë dhe sekuestrim të produktit. Të vetmet produkte që do të lejohen të shiten pa faturë janë ato tek shitësit ambulantë të regjistruar pranë bashkive, të cilët paguajnë sipërfaqen e tokës ku tregtojnë.

Por as ndëshkimi me gjobë apo sekuestrimi i mallit nuk e çon çdo fermer të vogël drejt formalizimit. Sipas kreut të Unionit të Tregut Agro Ushqimor, Theodhor Kostuli, kjo sjellje do të ndikonte negativisht në sektorin e blegtorisë.

“Ne duhet t’i zgjidhim gjërat. Në rast se ti ia merr qumështin fermerit sot, atëherë do të dalë ai grumbulluesi ku, nga 40 lekë që ia merr sot qumështin fermerit, nesër ia merr në njëzet lekë. Kështu sapo falimentove një familje”, thotë Kostuli.

Formalizimi është detyrim ligjor. Bujku do të bëhet pjesë e regjistrit të tatimeve nëse qeveria vendos ta subvencionojë atë, kësaj here jo duke i dhënë naftë falas.

“Jam pro formalizimit sepse kështu shkojmë drejt gjurmueshmërisë. Por, duke ditur që ti ke një informalitet të madh në bujqësi, ti duhet të ndihmosh në formalizim, ashtu siç subvencionon karburantin, të subvencionosh kostot e formalizimit. Në këtë moment ke para të hedhura, por kështu ndihmon prodhuesin e vogël dhe kështu ata mbajnë përgjegjësi për produktin e tyre”, shton ai.

Bujku që është i pajisur me NIPT fermeri nuk ka të drejtë të lëshojë faturë, por në momentin që ai prodhimin e tregton te grumbulluesi apo marketi, ky i fundit duhet t’i bëjë vetes një autofaturë që mban emrin e fermerit. Duke siguruar emrin e prodhuesit dhe grumbulluesit, arrijmë dhe gjurmueshmërinë.

Top Channel