
Çdo qytetar me vendbanim në Shqipëri do të ketë detyrimin të bëjë vetëdeklarimin e adresës nëpërmjet e-Albania.
Me qëllim vërtetimin e adresës, qytetari duhet të ngarkojë një sërë dokumentesh në llogarinë personale në portalin qeveritar.
Vendime të Fletores Zyrtare:
“Për deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike (online), në portalin qeveritar ‘e-Albania’, qytetari duhet të ngarkojë dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.”
E njëjta procedurë do të zbatohet edhe për rastet e ndryshimit të adresës së vendbanimit, ku qytetarët do të duhet të ngarkojnë çdo dokument që provon vendbanimin. Të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, që plotëson të gjitha elementet e adresës.
Një përcaktim jepet edhe për qytetarët e dënuar në institucionet e paraburgimit apo dhe ata në institucionet shëndetësore.
Vendime të Fletores Zyrtare:
“Për shtetasit që kryejnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale apo qëndrojnë në institucionet e paraburgimit në pritje të vendimit gjyqësor për më shumë se 3 (tre) muaj dhe shtetasit që qëndrojnë pa ndërprerje në institucione shëndetësore për kurim mjekësor më shumë se 3 (tre) muaj, institucioni përgjegjës duhet të paraqesë, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve pranë zyrës së gjendjes civile, listën emërore të tyre.”
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe përgjegjës për zbatimin e tij do të jenë një sërë institucionesh.
Top Channel