Kontrolli ‘blic’ i IKMT në Vlorë, ‘kapet’ pallati pa leje, Rama: Do t’i kalojë shtetit! Këtë fat do të kenë të gjitha objektet në shkelje

14/07/2025 12:44

Mëngjesin e sotëm Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici ishte në Vlorë, ku ka verifikuar kantieret e ndërtimit dhe lejet për pallate.

Nga verifikimet rezultoi se një pallat ishte pa leje, dhe Bici bëri me dije se ndërtesa do t’i kalojë shtetit.
Kreu i qeverisë Edi Rama në një postim në Facebook shprehet se këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike.

“Ndërkohë që punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme.

Ndërkohë së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë.

Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, shkruan Rama.

Top Channel