Rrezikoi jetën e policëve në tentativën për t’u arratisur, kapet pas dy vitesh 25-vjeçari në Lezhë

11/07/2025 13:53

Një 25 vjeçar, që rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, teksa u largua me shpejtësi me makinën ku mbante snajper në Lezhë u vu në pranga dy vite pas ngjarjes.

Orgest Mehi, alias Orgest Shehaj ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 09.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

18 dhjetor 2023 në Fushë Kuqe, i riu nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë në shërbim, për të ndaluar automjetin, dhe ka rrezikuar jetën e tyre, duke u larguar me shpejtësi, me automjet. Më pas, gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas e kishte braktisur në fshatin Gurëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri snajper me precizion të lartë dhe fishek në fole, si dhe një çantë me municion luftarak për këtë armë.

Top Channel