Edhe të pasurit qajnë, Lauren Sanchez humbet çantën historike Birkin në një ankand rekord.

Sipas Robb Report, revista amerikane e specializuar në luks, Lauren Sanchez ishte një nga ofertueset misterioze në ankandin e Sotheby’s në Paris, ku një çantë e rrallë Birkin u shit për mbi 8.6 milionë euro, një rekord absolut për këtë lloj aksesori.

Çanta, e krijuar nga Hermès për ikonën Jane Birkin në vitin 1984, u bë objekt dëshire për shumë të pasur, përfshirë Sanchez, e cila konkurroi për 13 minuta, duke ofruar qindra mijëra dollarë.

Zonja e re Bezos, e cila u martua me themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, në fund të qershorit në Venecia, nuk ofroi mjaftueshëm për të fituar. Çanta përfundimisht u ble nga një koleksionist japonez anonim. Edhe Kris Jenner, matriarkja e klanit Kardashian-Jenner, ishte në garë në fillim të ankandit. Ajo njihet për koleksionin e saj të çantave Hermès, të ruajtura në një dollap të dedikuar në vilën e saj në Kaliforni, me vlerë të përllogaritur rreth gjysmë milioni dollarë.

Fatkeqësisht për të dyja, çanta e zezë prej lëkure – në gjendje jo të përsosur – u rrëmbye nga një ofertues tjetër, me një çmim përfundimtar prej 7 milionë dollarësh, plus tarifat e ankandit. Imagjinoni reagimin në familjen Bezos kur ankandisti i Sotheby’s, Aurélie Vandevoorde, shpalli fjalët: “Shitur!”

Por për Lauren Sanchez mund të ketë një çmim ngushëllimi në horizont. Sipas Daily Mail, Bezos thuhet se është duke planifikuar t’i blejë asaj – as më pak e as më shumë – se revistën Vogue, aktualisht nën drejtimin e Anna Wintour. Kjo e fundit e përfshiu Sanchez në kopertinën dixhitale të muajit qershor, e veshur me një fustan nusërie nga Dolce & Gabbana, për të cilin thuhet se mori miratimin personal të Wintour.

Megjithëse Condé Nast, grupi botues që zotëron Vogue, ka deklaruar se nuk është në shitje, masat e fundit për uljen e kostove – përfshirë shkurtime ndërkombëtare dhe zhvendosjen e zyrës së Londrës në një hapësirë WeWork – kanë ngritur pikëpyetje. Sipas një burimi për Mail on Sunday, “Të gjithë në botën e modës dhe brenda Vogue po flasin për thashethemet se Jeff po blen Condé Nast.”

Një burim tjetër shtoi se paraqitja e Sanchez në kopertinën e revistës me fustan nusërie ishte një gjest për të fituar favorin e Bezos, duke lënë të kuptohet se familja Newhouse – pronarët e Condé Nast – mund të jenë të hapur për negociata.

Vlera e Condé Nast vlerësohet në 5 miliardë dollarë. Ndërkohë që përfaqësues të Bezos e kanë mohuar interesin për një blerje të tillë, burime të tjera sugjerojnë se vetë Anna Wintour mund të jetë duke negociuar një marrëveshje.

Top Channel