Kriza financiare e bashkive/ Ministri Malaj: Deri më 20 korrik të paraqesin planin e rehabilitimit

11/07/2025 17:50

Bashkitë të cilat kanë probleme dhe vështirësi financiare duhet që të përgatisin planin e rehabilitimit dhe dorëzimin e tij pranë Ministrisë së Financave Brenda datës 20 korrik.

Nga takimi me kryeministrin Rama dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor, ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se janë 8 bashki nga 61 gjithsej në këtë situatë.

 “Kemi klasifikuar si bashki që janë me probleme financiare ato bashki që kanë detyrime të prapambetura nga 16-25%, në raport e shpenzimet faktike.Masat që duhet të marrin bashkitë respektive janë, të bëjnë hartimin e planit të shlyerjes së detyrimeve dhe të rehabilitimit financiar deri në datën 20 korrik. Këtë plan duhet ta miratojnë këshillat e tyre përkatës, tja paraqesin min. së financave e cila do të ndërmarrë dhe masat.”

Pavarësisht situatës së këtyre bashkive sipas ministrit buxheti vendor është rritur ndjeshëm pas fillimit të reformës territoriale në vitin 2015, duke u trefishuar në vitin 2025.

Një shpjegim ministri e dha edhe për çmimet e cës dhe rivlerësimin e pronave sipas të cilit do të realizohet shumë shpejt.

“Ne jemi drejt financimit të çmimeve të reja të cës. Vlera e pronave është rritur rreth 26 %, pra është një rritje që besoj do të shtojë dhe vlerën sa i përket të ardhurave në bashkitë. Taksat e pronës është një nga taksat kryesore në të gjitha bashkitë e Europës. Duhet të zërë të njëjtën peshë dhe të njëjtën rëndësi edhe në bashkitë e vendit tonë. “

Ministri premtoi se taksa e rivlerësimit të pronave do të reduktohet por pa përcaktuar edhe vlerën nëse do të jetë 5% siç është prezantuar edhe nga socialistët.

Top Channel