
Çdo hap që shikon prapa dhe mbështetet në retorikën e së kaluarës, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, u shpreh kryeparlamentarja Elisa Spiropali, teksa u pyet për koment mbi nismën e presidentit serb për “Botën Serbe”.
“Uroj të jetë kalimtare”, theksoi ajo nga Sofja, ku u prit nga Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova. “Shpresoj të vijojmë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke të vendeve dhe me proceset tona euroatlantike dhe integruese”, vijoi Spiropali.
Pyetje: Zonja Spiropali, ju folët për rëndësinë që i jep Shqipëria sigurisë dhe mbrojtjes në Ballkan. Ju gjithashtu përmendët nismën trepalëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Koracisë. Në këtë kuptim, a e shihni si kërcënim nismën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që sapo është shpallur?
Elisa Spiropali: Së pari dhe mbi të gjitha dua të them se marrëveshja që ju përmendët bëhet në kuadër të planit strategjik të NATO-s. Pra, i gjithë koncepti strategjik i NATO-s e parashikon edhe bashkëpunimin rajonal në këtë nivel. Pra jo kundër kujt, por vetëm Pro sigurisë në rajonin tonë. Ne do donim shumë që edhe Bullgaria të ishte pjesë e kësaj marrëveshje dhe çdo aktor tjetër rajonal me këtë mendësi dhe me këtë qasje që ne kemi, jo vetëm të ngjashme por gati identike sa i takon besimit dhe kontributit që ne japim në Aleancën Euroatlantike. Sa i takon pyetjes që ju bëtë, ne mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës padiskutim dhe urojmë që kërkesa e Kosovës për të ardhur më pranë aleancës së NATO-s të shqyrtohet me përparësi sepse hijet e së shkuarës që shfaqen herë pas here në skenën politike në rajonin tonë siç e përmendët, janë të dëmshme për të ardhmen tonë të përbashkët, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për aspiratat që ne kemi si rajon për të lënë pas një të shkuar të dhimbshme dhe për tu bërë bashkë në Bashkimi Europian por dhe në bashkëpunime të tjera rajonale. Patjetër që çdo lëvizje e tillë që nuk sheh nga e ardhmja por reflekton retorikë dhe narrativë të së shkuarës shihet me shqetësim në Kosovë, Shqipëri dhe në rajonin tonë. Uroj të jetë kalimtare dhe ne të vijojmë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke të vendeve dhe me proceset tona euroatlantike dhe integruese.
“Bota serbe” u përmend si koncept për herë të parë në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë në Ballkanin Perëndimor ka pasur paralajmërime se ajo frazë rikujton aspiratat e politikës zyrtare serbe që pati rol kyç në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.
Nga ana tjetër, Beogradi thotë se nuk ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve, por vetëm tregon kujdes ndaj qytetarëve me kombësi serbe në shtetet që kanë dalë nga rënia e Jugosllavisë.
Top Channel