
Në Korçë është inauguruar konsullata e re greke e cila është vendosur në godinën historike, ku jetoi nobelisti dhe diplomati grek Jorgos Seferis.
Në ceremoni morën pjesë Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani dhe homologu i tij grek i cili gjatë fjalës së tij ka vlerësuar raportet diplomatike me Shqipërinë duke theksuar se Greqia nuk do të bëjë asnjë hap pas në kërkesat e saj për të drejtat e minoritetit.
“Godina e re e Konsullatës inkuadrohet ne investimet për dixhitalizimin e shërbimeve. Është prove për të forcuar lidhjet e minoritareve me shtetin amë. Nga ana jonë kujdeseni të forcojmë marrëdhëniet me fqinjët. Si vende fqinje ne u japim prioritet stabilitetit, jo vetëm ne marrëdhëniet dy paleshe, por edhe shumëpalëshe të rajonit.
Politikat e ndryshimit te kufijve tani i përkasin të kaluarës. Dhe të gjitha këto janë histori të vjetra që nuk i interesojnë askujt, si shkruante Seferis. Ne nuk kemi për të bërë asnjë hap prapa në të drejtat për minoritetit grek. Prezenca juaj me Ministrinë e Jashtme ka forcuar mardhëniet. Minoriteti grek na bashkon dhe është një urë mirëkuptimi mes dy vendeve”, tha Georgios Gerapetritis
Ministri i Jashtëm Igli Hasani mes të tjerash vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Më tej ai shtoi se Shqipëria pret mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin në BE.
Vëmendjen me pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës Greke në Korçë e mori edhe eurodeputeti, Fredi Beleri i cili i pyetur në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri dhe kontestimet e opozitës tha se ato janë shumë larg standardit të një vendi të BE-së.
“Sa për zgjedhjet, unë besoj se raporti i OSBE-ODIHR dhe vëzhguesve europianë është fare i qartë ky do të jetë edhe qëndrimi ynë. Që do të thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, të vjedhura, dhe nuk kanë të bëjnë fare me një shtet që aspiron Bashkimin Europian”, tha Fredi Beleri.
Për sa i përket çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, Beleri u shpreh se ajo duhet zgjidhur përmes mirëkuptimit dypalësh, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2009.
Top Channel