
“Institucioni i Bashkisë Vlorë po nëpërkëmb çdo ditë banorët e qytetit”, ishte përgjigjja që i dha kryeministri Edi Rama një gazetari që e pyeti nëse ka nëpërkëmbur këtë institucion me vendimin për të larguar drejtorët.
Kreu i qeverisë replikoi me gazetarin, kur i tha “ti ke hall se u nëpërkëmb institucioni i bashkisë, kurse unë kam hall që institucioni i bashkisë nëpërkëmb gjithë Vlorën çdo ditë”.
“Unë jam të zgjidhet kjo e dyta, pastaj nëpërkëmbjen e institucionit e trajtojmë në një kohë të dytë, po institucioni është aty për gjithë qytetarët e Vlorës dhe qytetarët e Vlorës ndihen të nëpërkëmbur nga institucioni, nga indiferenca, nga tangërllëku i shumë ‘bajraktarëve’ të atij institucioni, nga fakti që edhe pse shërbimet nuk janë ato që qytetarët dëshirojnë. Ata njerëz vazhdojnë të rrinë aty, siç tha kolegia. Kolegia tha që ata kanë tridhjetë vjet aty. E ekzagjeroi pak po nuk është çudi që dikujt tjetër i duket se kanë 300 vjet aty. Kështu që, kjo është si ta shikosh.
Unë nuk mendoj që institucioni i bashkisë është nëpërkëmbur në këtë rast, por në qoftë se ndihet i nëpërkëmbur, duhet të kuptojë që është koha që të ndiejë për një moment ai institucion se si ndihen qytetarët e Vlorës çdo ditë nga mungesa e shërbimit konstant“, tha Rama.
Pas ultimatumit të qartë të dhënë nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij pak ditë më parë në Bashkinë e Vlorës, të gjithë drejtuesit e drejtorive të varësisë lokale paraqitën dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha.
Top Channel