
Spektakli i humorit “Verë dhe Portokalle”, i kthyer tashmë në një traditë të pandarë të verës shqiptare, ka mbërritur në qytetin e Fierit.
Mbrëmjen e kaluar, atmosfera në sheshin qendror të qytetit ishte elektrizuese, teksa qindra qytetarë, të të gjitha moshave, u mblodhën për të shijuar një show të paharrueshëm nën yjet e korrikut.
Për më shumë se dy orë, aktorët e “Portokallisë” dhuruan humor, personazhe të njohur dhe situata komike që shkaktuan të qeshura pa fund, duke konfirmuar edhe njëherë pse ky spektakël mbetet ndër më të dashurit për publikun shqiptar.
Një nga momentet kulmore të mbrëmjes ishte prezantimi i kampionit fierak të boksit, Xhuljo Vrenozi, i cili solli para bashkëqytetarëve të tij titullin prestigjioz të WBA-së.
“Është një emocion dhe nder i madh për mua që të jem sonte këtu, në qytetin tim, për të ndarë këtë arritje me njerëzit që më kanë mbështetur gjithmonë.”
Edhe publiku fierak nuk i kurseu duartrokitjet dhe fjalët e mira.
“Na kanë dhuruar një mbrëmje fantastike. Janë të mrekullueshëm!”
“Personazhet e tyre na shoqërojnë çdo të diel, por t’i shohësh nga afër është një emocion më vete.”
Në fund të mbrëmjes, aktorët falënderuan publikun fierak për mikpritjen dhe energjinë që dhuruan gjatë gjithë spektaklit.
“Publiku i Fierit është i jashtëzakonshëm. Na dhatë shumë dashuri dhe energji!”
Turin e tij “Verë dhe Portokalle” e nisi nga Fieri, për të vijuar më tej në qytete të tjera të vendit, duke sjellë kudo argëtim, humor dhe emocione verore.
Top Channel