Ëndërr e bërë realitet! “Oasis” rikthehen pas 16 viteve mungesë për fansat

05/07/2025 16:37

Pas më shumë se një dekade tensionesh dhe heshtjeje, Liam dhe Noel Gallagher u ngjitën sërish bashkë në skenë, duke rikthyer Oasis-in për një nga ribashkimet më të mëdha në historinë e muzikës rock.

Pas 5.795 ditësh që nga koncerti i fundit, grupi britanik i viteve ’90 ndezi skenën në stadiumin Principality të Cardiff-it, përballë një audience prej 70 mijë vetësh.

Në ekranet gjigante të stadiumit shfaqej mesazhi: “Kjo nuk është një provë. Po ndodh vërtet, Cardiff,” një sinjal i qartë për atë që pasonte: ribashkimi i shumëpritur.

Koncerti nisi me “Hello”, një përzgjedhje kuptimplotë për t’i përshëndetur fansat pas një mungese kaq të gjatë. Më pas, “Acquiesce”, kënga ku të dy vëllezërit ndajnë vokalin, dha një mesazh të qartë: ndarjet ishin lënë pas, të paktën për atë natë. Ishte një mbrëmje e mbushur me emocione, nostalgji dhe një lidhje të fortë mes brezave që kishin ndjekur Oasis-in që nga ditët e para.

Turneu, i cili do të zgjasë deri në nëntor, do të përfshijë 41 data në Amerikë, Azi, Australi dhe më pas në Europë verën e vitit 2026. Kërkesa për biletat në Britani dhe Irlandë ka qenë marramendëse – mbi 10 milionë aplikime për më pak se një milion vende.

Top Channel