Bota e kinemasë në zi, aktori i njohur australian humb betejën me kancerin

05/07/2025 10:54

Bota e kinemasë është në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur australian, Julian McMahon, në moshën 56-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga bashkëshortja e tij, Kelly Paniagua, e cila bëri të ditur se aktori ndërroi jetë të mërkurën në Clearwater, Florida, pas një lufte me kancerin.

“Julian e donte jetën. Donte familjen, miqtë, punën dhe mbi të gjitha, fansat e tij. Dëshira e tij më e madhe ishte të sillte gëzim në sa më shumë jetë që të ishte e mundur,” u shpreh ajo në një deklaratë të shpërndarë nga portali Deadline.

Julian McMahon u bë i njohur për publikun me rolin e tij në serialin “Charmed”, një nga produksionet më të ndjekura të viteve 2000 me tematikë mbinatyrale. Por fama ndërkombëtare i erdhi me rolin kryesor si Dr. Christian Troy në dramën mjekësore “Nip/Tuck”, ku interpretoi një kirurg plastik me një jetë plot sfida dhe kontradikta.

Karriera e tij përfshin gjithashtu role të tjera në film dhe televizion, përfshirë paraqitje në produksione të Hollywood-it, ku ai spikati për karizmën dhe stilin e veçantë të interpretimit.

Lajmi për vdekjen e McMahon ka sjellë një valë reagimesh dhe ngushëllimesh nga kolegë të industrisë së filmit dhe fansa nga e gjithë bota, të cilët e kujtojnë si një aktor me pasion të madh dhe një njeri me shpirt të ngrohtë.

Julian McMahon do të mbetet në kujtesën e publikut jo vetëm për rolet e tij të paharrueshme në ekran, por edhe për ndikimin që pati në artin e interpretimit.

Top Channel