Allegri kthehet në Milanello pas 11 vitesh, nis stërvitjen e parë krah Igli Tares! Në pritje të Modric dhe mesfushorit shqiptar

05/07/2025 10:30

Max Allegri është rikthyer në Milanello pas plot njëmbëdhjetë vitesh.

Ish-trajneri i Juventusit rikthehet në pankinën ku fitoi titullin kampion në sezonin 2010/11 dhe tashmë nis një kapitull të ri, këtë herë në një projekt të ndërtuar bashkë me Igli Taren, i cili është emëruar si drejtues sportiv i klubit.

Allegri e nisi ditën e sotme zyrtarisht stërvitjen e parë me skuadrën kuqezi, ndërsa drejtuesit kanë nisur të punojnë në mënyrë intensive për të ndërtuar një ekip konkurrues në të gjitha frontet.

Deri tani, Milani ka mbyllur dy goditje të rëndësishme në mesfushë: Samuele Ricci nga Torino dhe Luka Modric, i cili do të kalojë te kuqezinjtë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube me Realin.

Por merkatoja është larg së përfunduari. Klubi po synon të afrojë edhe:

Një tjetër mesfushor qendre – ku emri më i përfolur është Ardon Jashari, lojtari shqiptar i Brugge.

Dy mbrojtës krahu, për të rritur alternativat në krahët e mbrojtjes.

Një mbrojtës qendror, që mund të formojë një dyshe solide me Tomorin.

Një qendërsulmues të nivelit të lartë, që pritet të jetë goditja kryesore e verës, për të zëvendësuar boshllëkun e lënë nga Olivier Giroud.

Me rikthimin e Allegrit dhe me një merkato që synon të krijojë një grup të ekuilibruar dhe të thellë, Milani synon seriozisht titullin kampion në Serie A, por nuk e fsheh ambicien për të bërë më shumë edhe në Ligën e Kampionëve.

Kombinimi i përvojës së Allegrit dhe ekspertizës së Tares në merkato po krijon pritshmëri të mëdha në radhët e tifozëve, ndërsa atmosfera në Milanello është pozitive dhe e mbushur me entuziazëm.

Top Channel