Afrohet afati i fundit i Trump për tarifat, presidenti amerikan: Kam nënshkruar letrat me normat e taksave për 12 shtete

05/07/2025 10:07

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ka nënshkruar letra drejtuar 12 partnerëve tregtarë të vendit në lidhje me normat e tarifave që do të vendosen për produktet e tyre të eksportuara në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të dërgohen të hënën.

Duke folur me gazetarët nga Air Force One, Trump nuk pranoi të thoshte se cilave vende u drejtoheshin letrat, duke shpjeguar se do ta njoftonte të hënën.

“Kam nënshkruar disa letra dhe ato do të dërgohen të hënën, ndoshta një duzinë. Është më e lehtë të dërgosh një letër që thotë: ‘Dëgjoni, ne e dimë që kemi një deficit ose në disa raste një suficit, por jo në shumë raste. Ja çfarë duhet të paguani për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara'”, shpjegoi presidenti amerikan.

“Shuma të ndryshme, tarifa të ndryshme. E bëmë me Britaninë dhe ishte shumë mirë për të dyja palët. E bëmë me Kinën dhe mendoj se është shumë mirë për të dyja palët”, shtoi Trump.

Presidenti i SHBA-së ka vendosur 9 korrikun si afatin e fundit për Uashingtonin dhe partnerët e tij për të arritur marrëveshje mbi transaksionet e tyre tregtare. Përndryshe, ai ka kërcënuar të rrisë ndjeshëm tarifat për produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara.

Niveli i këtyre tarifave ndryshon nga rasti në rast dhe mund të shkojë nga 10% në 20% ose edhe të arrijë 60% në 70% dhe siç ka shpjeguar Trump, shtetet do të fillojnë të paguajnë nga 1 gushti.

Në fillim të prillit, presidenti amerikan shkaktoi një tronditje duke njoftuar një rritje drastike të tarifave për shumicën e produkteve të importuara, tarifa shtesë prej 10%, me normën që arrin 50% për vendet që eksportojnë më shumë në SHBA sesa importojnë produkte amerikane.

Trump më pas pezulloi zbatimin e këtyre tarifave, duke hapur rrugën për negociata me secilin prej partnerëve. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se një sërë marrëveshjesh tregtare mund të shpallen në ditët në vijim.

Deri më tani, administrata Trump ka njoftuar vetëm marrëveshje me Britaninë dhe Vietnamin, ndërsa SHBA-të dhe Kina kanë rënë dakord të ulin përkohësisht tarifat e vendosura nga njëra-tjetra.

Top Channel