Gjashtë vite të fejuar dhe një vajzë së bashku, Katy Perry dhe Orlando Bloom konfirmojnë ndarjen

04/07/2025 10:34

Këngëtarja e njohur Katy Perry dhe aktori britanik Orlando Bloom kanë konfirmuar zyrtarisht ndarjen e tyre, pas gjashtë vitesh të fejuar dhe një vajze të vogël së bashku.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat amerikane, të cilat publikuan një deklaratë të përbashkët nga përfaqësuesit e çiftit.

Në deklaratë thuhet se Perry dhe Bloom kanë vendosur të “ndryshojnë natyrën e marrëdhënies së tyre” për të fokusuar energjitë tek bashkëprindërimi i vajzës së tyre katërvjeçare, Daisy Dove.

“Ata do të vazhdojnë të shfaqen bashkë si familje, pasi prioriteti i tyre i përbashkët ka qenë dhe do të mbetet rritja e vajzës me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.

Katy Perry, 40 vjeçe, dhe Orlando Bloom, 48, janë lidhur për herë të parë në vitin 2016. Çifti u nda për një periudhë të shkurtër në 2017, por u ribashkuan dhe u fejuan në Shën Valentinin e vitit 2019. Një vit më pas, Perry zbuloi shtatzëninë në videoklipin e këngës së saj “Never Worn White”. Vajza e tyre lindi në vitin 2020 dhe lajmi u bë i ditur nga UNICEF, ku të dy janë ambasadorë të vullnetit të mirë.

Ndarja vjen në një moment jo të lehtë për këngëtaren. Albumi i saj më i fundit, “143”, dhe kënga kryesore “Woman’s World”, nuk kanë marrë pritjen që pritej, ndërsa shitjet e biletave të turit aktual kanë qenë më të ulëta krahasuar me sukseset e mëparshme.

Perry, e cila më parë ka qenë e martuar me komedianin Russell Brand, është përballur gjithashtu me kritika pas udhëtimit në hapësirë me Blue Origin në muajin prill, një eksperiencë për të cilën tha se e la të “goditur emocionalisht”.

Orlando Bloom, i njohur për rolet e tij në “Pirates of the Caribbean”, “The Lord of the Rings” dhe “The Hobbit”, ka një djalë 14-vjeçar, Flynn, nga martesa e mëparshme me modelen australiane Miranda Kerr.

Pavarësisht ndarjes, burime pranë çiftit theksojnë se Perry dhe Bloom janë të përkushtuar ndaj një marrëdhënieje të shëndetshme bashkëprindërimi dhe nuk përjashtohet që të shihen së bashku në publik, për hir të vajzës së tyre.

Top Channel