I humbur prej 21 ditësh, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e të moshuarit në Malësi të Madhe! Vendosin 50 mijë euro shpërblim

01/07/2025 12:32

Prej 21 ditësh, shtetasi Lekë Ndreshaj, 78 vjeç, është zhdukur në rrethana misterioze në fshatin Bzhetë të Malësisë së Madhe.

I moshuari kishte shkuar për të marrë pjesë në një ceremoni mortore aty, është ndjerë keq, dhe që nga ai moment nuk ka më asnjë gjurmë të tij.

I biri ka vënë në dispozicion shumën prej 50 mijë eurosh për këdo që e gjen babanë e tij.

Ndërkohë, pas kërkimeve gjatë gjithë këtyre ditëve pa rezultat, familja i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryeministrit Rama për ndihmë.

Njoftimi i plotë i familjarëve:

Tiranë, 30 Qershor 2025, Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Lënda: Kërkesë urgjente për ndihmë shtetërore dhe mobilizim për gjetjen e qytetarit Lekë Ndreshaj

I nderuar Z. Kryeministër, Unë, Gëzim Lekë Ndreshaj, banues në Bruksel dhe biri i z. Lekë Ndreshaj, i drejtohem me këtë thirrje publike dhe urgjente për ndihmën tuaj në gjetjen e babait tim, i cili është zhdukur që prej datës 9 qershor 2025 në fshatin Bzhetë, Malësi e Madhe, gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni mortore të dajës tim.

Që nga ajo ditë nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen apo gjendjen e tij. Kërkimet tona familjare dhe komunitare nuk kanë sjellë rezultat, ndërkohë që terreni i thepisur dhe mungesa e mjeteve teknike e bën të pamundur vazhdimin efektiv të kërkimeve pa ndihmën e shtetit.

Ju lutem me përulësi të mobilizoni: Forcat e Ushtrisë së Shqipërisë, Strukturat e Policisë së Shtetit, Administratën e Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe njësive vendore, Helikopterë dhe dronë të pajisur me kamera termike dhe teknologji të specializuar për kërkim-nxjerrje

Çdo orë që kalon është jetike. Familja jonë jeton në ankth dhe ka nevojë për ndërhyrjen tuaj të menjëhershme si kryetar i qeverisë dhe si përfaqësues i një shteti që nuk braktis qytetarët e vet në momente të tilla.

Për çdo informacion apo bashkëpunim, ju lutem na kontaktoni në: Email: [email protected], Telefon: +32 456 19 27 20 Me shpresë, dhimbje dhe respekt të thellë, Gëzim Lekë Ndreshaj, Bruksel, Belgjikë

Top Channel