Tarifat për administrimin e pallateve/ Mazniku: Gati udhëzimi për bashkitë, do të krijohen fondet e posaçme

30/06/2025 19:53

Nga tarifat e reja të referencës për familjet dhe qytetarët në nevojë, zgjedhja dhe pagesa e administratorëve, llogaritë bankare për pallatet, certifikata e bashkëpronësisë, barra hipotekore për abuzuesit dhe fondet e rikonstruksionit, janë çështjet më të rëndësishme në ligjin e ri për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa, të cilat kanë ngritur diskutime edhe në komisionin e ekonomisë.

“Kush i përcakton tarifat që vendosen nëpër pallate? Si do të veprohet për grupet më vulnerabël? Vendosja e barrës hipotekore disproporcionale, pasi tarifa është e ndryshme në pallate të ndryshme? A është disproporcionale që të vendoset barrë hipotekore kur nuk paguhet tarifa?”

“Si do zgjidhet bashkëpronësia kur s’kanë certifikatë pronësie? Po për ata që jetojnë jashtë dhe shtëpitë janë bosh, si do zgjidhet çështja e tarifave?”

“Tarifa vendoset nga asambleja e pallatit, nëse nuk vendoset, administratori përdor tarifat referencë të bashkive. Do të dalë një udhëzim sesi bashkitë e nxjerrin çmimin e referencës. Përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin është e banorëve. Vendosja e një administratori me numër nipti të posaçëm i jep të drejtën të krijojë një faturë të mirëfilltë dhe jo derë më derë pa faturë. E bën faturën titull ekzekutiv”, shprehet ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.

Për deputetët, zbatimi i këtij projektligji të ri është i paqartë në përcaktimin e detyrave të një administratori si dhe përfaqësimit të tij në komunitet për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

“Probleme me ujin, kanalizimet, zënien e hapësirave të përbashkëta, a do kenë rol dhe status këta administratorë të rinj?”, tha Erion Braçe.

“Kushtet për administratorin, kemi një nen të posaçëm për kriteret dhe trajnimet që do të kryhen. Të dhënat e administratorit së bashku me numrin e kontaktit do të jenë edhe pranë bashkive. Në këtë mënyrë administrohet siç duhet”, u shpreh Mazniku.

Deri më sot, mungesa e një kuadri të qartë ligjor ka sjellë shumë paqartësi dhe konflikte mes banorëve. Shumë pallate nuk kishin administratorë, detyrimet financiare nuk paguheshin, dhe hapësirat publike keqpërdoroheshin apo liheshin pas dore. Ligji i ri synon të japë një strukturë të qartë dhe funksionale, që mbron interesin e përbashkët dhe nxit bashkëjetesën në komunitet.

Top Channel