
Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të jetë destinacioni kryesor kulturor në jug të Shqipërisë, duke regjistruar rritje të ndjeshme të vizitorëve edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025.
Me mbi 85 mijë turistë të huaj dhe vendas, kjo fortifikatë historike shërben si një pikë kyçe për turizmin historik dhe kulturor, pavarësisht sfidave në akses dhe infrastrukturë që mbeten për t’u adresuar.
“Kalaja e Gjirokastrës ka pritur rreth 85 mijë vizitorë për 6-mujorin e parë të 2025 me një rritje prej 10% krahasuar me vjet ku vjet kishte 75 mijë. Vizitorët janë nga vende të ndryshme të botës – Spanja, Italia, Franca – dhe këto të fundit kryesojnë numrat. Tani presim rreth 1000 në ditë me pritshmëri që në korrik e gusht të shkojë në 2000. Rekordi ishte vjet me 2400 vizitorë në gusht. Kjo shoqërohet me rritje të stafit, masa sigurie dhe pastrime të territorit.”, shprehet Ardis Duka, kreu i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.
Vizitorët vlerësojnë jo vetëm historinë dhe arkitekturën, por edhe klimën më të freskët që ofron kalaja gjatë ditëve të nxehta.
“Hera ime e parë këtu. Qyteti është shumë shumë interesant. Më pëlqeu shumë kalaja sepse mund t’i ikësh edhe pak diellit. Monumenti është shumë informativ dhe patjetër është një rekomandim shumë i mirë për verën në Gjirokastër.”, shprehet Julia, vizitorja nga Polonia.
“Unë vij nga Rajnland në perëndim të Gjermanisë. Kalaja ka një hije të rëndë dhe mbresëlënëse që e vëren edhe kur del nga korridori në oborr e sidomos duke dëgjuar historinë interesante që ka.”, shprehet turisti nga Gjermania.
“Një mrekulli. Ishte pak e vështirë të ngjiteshim deri lart pasi është shumë vapë, por është një kështjellë impresionuese.”, thotë një tjetër vizitor nga Gjermania.
Megjithatë, vizitorët përballen me vështirësi në akses, pasi ecja në këmbë nga Pazari i Ri deri te hyrja e kalasë kërkon rreth 15–20 minuta ngjitje të pjerrët, që nuk është e lehtë për të gjithë. Punimet në rrugët përreth dhe mungesa e hapësirave të parkimit e vështirësojnë më tej qarkullimin për ata që përdorin automjete.
Kalaja, e vendosur mbi një kodër 360 metra mbi nivelin e detit dhe me një gjatësi vizitueshmërie prej rreth 500 metrash, përfaqëson një hapësirë që rrëfen shekuj të tërë të historisë shqiptare, nga mesjeta deri në shekullin XX. Muzeu i Armëve dhe Burgu i Kalasë dëshmojnë periudha të ndryshme politike dhe ushtarake, përfshirë edhe përdorimin e kalasë si burg politik gjatë regjimit komunist, çka i shton rëndesën historike dhe simbolike këtij monumenti.
E integruar në strukturën historike të qytetit muze të Gjirokastrës dhe pjesë e statusit të tij si pasuri botërore e UNESCO-s, kalaja mbetet një nga monumentet më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një pikë referimi për historinë urbane dhe arkitekturën mbrojtëse në rajon.
Top Channel