Në gjyqin e rëndë ndaj Sean “Diddy” Combs, prokuroria paraqiti të enjten argumentet e saj përfundimtare, duke e akuzuar reperin dhe producentin e njohur për përdorimin e dhunës, drogës dhe mashtrimit për të detyruar gratë të kryenin akte seksuale të padëshiruara.

Ndihmësprokurorja Christy Slavik i tha anëtarëve të jurisë në New York se Combs drejton një grup kriminal dhe se ai nuk pranon “jo” si përgjigje, duke manipuluar gratë përmes një rrjeti punonjësish besnikë.

Prokuroria pretendon se Combs përdori një kombinim të trafikut seksual, shantazhit dhe përdorimit të dhunës, përfshirë edhe rrahjen e ish-të dashurës së tij, Cassie Ventura.

Në sallën e gjyqit u paraqit edhe një video virale nga viti 2016, që tregon Combs duke tërhequr dhe rrahur Ventura-n në një hotel në Los Angeles.

Në argumentet e saj, Slavik theksoi se viktimat nuk pranuan marrëdhënie seksuale me eskortë ndërsa Combs i shikonte dhe filmonte, duke e paraqitur këtë si një formë të rëndë të abuzimit dhe trafikimit seksual.

Gjyqi ka përfshirë dëshmitë e ish-të dashurave të Combs, Cassie Ventura dhe një gruaje të identifikuar vetëm si “Jane”, të cilat kanë dëshmuar për manipulimin dhe abuzimin që kanë përjetuar.

Combs është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, përfshirë trafikimin seksual, shantazhin dhe transportimin për prostitucion. Nëse dënohet, ai përballet me burgim të përjetshëm.

Top Channel