
Vrulli i turistëve, i nisur që nga ky fillimvit, duket se është ngadalësuar me hyrjen në kulmin e sezonit turistik. Nga janari, shkurti e marsi i suksesshëm, rritja në maj ka qenë më e ngadalësuar.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në muajin që lamë pas, Shqipërinë e vizituan 987 mijë turistë. Një rritje prej 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke çuar kështu numrin në 3.4 milionë turistë vetëm në 5 muaj.
Në maj 2025, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës, ku Evropa Jugore zë 72% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga ky kontinent, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 14%. Nuk mungojnë as hyrjet nga Afrika, Azia dhe Amerika.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98% të rasteve, është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizita te të afërm, etj. Nuk mungojnë as të huajt që vijnë për qëllime biznesi, profesionale dhe shëndetësore.
Nga ana tjetër, shqiptarët nuk i ndalën pushimet apo vizitat jashtë vendit, edhe për biznes, në muajin maj. 689,145 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 8.9% krahasuar me majin e vitit 2024.
Top Channel