Strehimi social nis në korrik/ Ministri Gonxhe: Përfitojnë 1235 familje në 35 bashki, programi zgjat 2 vite

23/06/2025 19:49

Strehimi Social, një program nga qeveria për mbështetjen me shtëpi apo rikonstruksionin e tyre, të individëve apo familjeve me të ardhura të ulëta, do të nisë zbatimin duke filluar që nga muaji korrik.

Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe, bëri të ditur se 1,253 familje do të jenë përfituese: “Si asnjëherë më parë, 1,253 familje në 35 bashki përfitojnë nga Programi Kombëtar i Strehimit Social! Me një vlerë financimi prej rreth 1 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, ky projekt do të adresojë nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit për 1,253 familje në nevojë në të gjithë vendin. Zbatimi nis në korrik-gusht 2025 dhe zgjat për dy vite”.

Nga kjo mbështetje përfitojnë pensionistët e vetmuar, familjet me ndihmë ekonomike, familjet me një prind, familjet pa të ardhura.

Ndër bashkitë ku do të zbatohen projektet më shumë janë Shkodër, Vau Dejës, Gjirokastër, Mat, Selenicë e Kamëz, të cilat përfshijnë mbështetje me shtëpi, rikonstruksion të banesave ekzistuese si dhe përmirësimin e infrastrukturës në zona banimi me mungesë shërbimesh si ujësjellës, kanalizime etj.

Vlera e financimit për të gjitha bashkitë në kuadër të këtij programi do të arrijë në nivelin e 1 miliardë lekëve.

Top Channel