
Situata e vazhdueshme e sulmeve kibernetike, por edhe nevoja për të financuar sektorët me më shumë problematika, janë arsyet që shtynë qeverinë të ndërhyjë për të dytën herë në buxhetin e shtetit.
Nga Komisioni i Ligjeve, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se 11.8 miliardë lekë u mblodhën nga kursimet në projekte të caktuara, si dhe nga mirëmenaxhimi i investimeve nga qeveria.
“Kemi një reflektim dhe një rishpërndarje të brendshme të fondeve për projekte që lidhen me IT-në. Nga kursimet, 3.3 miliardë lekë shkojnë për Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, disa miliardë lekë për projekte të zhvillimit të infrastrukturës, për një projekt të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, fonde shtesë te Ministria e Shëndetësisë për blerje pajisjesh mjekësore.
Ndërkohë, 3 miliardë lekë janë për garancinë sovrane në sektorin e bujqësisë. Përmes kësaj synohet lehtësimi i aksesit në financë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ministria e Bujqësisë ka propozuar një skemë për të zgjidhur problemin e mungesës së kolateralit”, shprehet ministri.
Në komisionin ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e mazhorancës, ndërsa opozita mungonte, u ngrit edhe kërkesa për rritjen e pagave të policëve.
“Sektorët më në nevojë i kemi identifikuar. Deri tani, në ndryshimet në buxhet, nuk është parashikuar diçka për policët”, shton Malaj.
Një rialokim i fondeve, sipas ministrit, nuk pritet të rëndojë më tej buxhetin e shtetit, teksa deficiti buxhetor do të vijojë të mbetet në nivelin e 68.1 miliardë lekëve.
Top Channel