
Vetëprodhuesit e energjisë elektrike kanë rritur sasinë e injektuar në rrjet këtë fillim viti.
Të cilësuar si abonentët që zotërojnë impiant fotovoltaik me fuqi deri në 500 kW, përveç plotësimit të nevojave të tyre, kanë injektuar në rrjet për 4 muajt e parë të vitit 943 MWh, me intensitetin më të shtuar gjatë muajve mars dhe prill. Një sasi ndjeshëm më e lartë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Instalimi i impianteve fotovoltaike për të plotësuar nevojat vetjake shihet si tendencë kryesisht e bizneseve, edhe pse numri i familjarëve dhe institucioneve publike me instalim të kësaj natyre ka ardhur në rritje.
Prodhimi i injektuar nga vetëprodhuesit 35 kV arriti në 48 MWh, ndërsa nga vetëprodhuesit 20 kV në tregun e parregulluar, 895 MWh.
Ndonëse vlerë modeste në total krahasuar me prodhimin e përgjithshëm të energjisë në vend, kjo skemë tregon funksionimin e duhur.
Përfitimi kryesor i të gjithë konsumatorëve vetëprodhues të energjisë elektrike është reduktimi i faturës së energjisë, duke nisur nga kostot e ulëta për konsumatorët e deri te krijimi i një sistemi energjie me më pak emetime karboni.
Me instalimin e impianteve fotovoltaike, në varësi të fuqisë së instaluar, nevoja për energji elektrike mbulohet pjesërisht apo totalisht nga energjia e prodhuar nga panelet.
Sipas të dhënave të OSHEE-së, numri total i konsumatorëve që mbajnë statusin e vetëprodhuesit të energjisë elektrike është 2,415, ndërkohë që kapaciteti total i instaluar nga kjo kategori është rreth 217 MWp. 60% e këtyre impianteve janë të pozicionuar në Tiranë dhe Durrës.
Top Channel