Megjithëse data e saktë e ceremonisë nuk është konfirmuar, sipas Daily Mail, Bezos ka rezervuar gjithashtu Scuola Grande della Misericordia, një nga ndërtesat më madhështore të Venecias, për datat 26 deri më 28 qershor. Edhe pse nuk është thënë qartë nëse kjo ndërtesë do të shërbejë si vendi zyrtar i dasmës, ajo mund të jetë skena për ndonjë nga eventet shoqëruese të festës. Dasma do të jetë private, me një listë të ftuarish që nuk kalon 200 persona, ndër ta emra të njohur si Kim Kardashian, Kris Jenner, Katy Perry dhe Orlando Bloom.
Sipas një burimi italian, secili i ftuar do të marrë një dhuratë artizanale, një gotë të punuar me dorë nga qelqi Murano, prodhuar nga kompania me renome Laguna B, e cila ruan traditat veneciane të mjeshtërve të vjetër të qelqit. Krahas kësaj, priten edhe dhurata të tjera luksoze, edhe pse detajet specifike nuk janë zbuluar ende.
Frymëzuar nga gota tradicionale veneciane të quajtura goti de fornasa, artistja Marie Brandolini i ka dhënë një pamje moderne këtyre objekteve duke bashkuar trashëgiminë artizanale me dizajnin bashkëkohor. Kompania Laguna B njihet për modelet shumëngjyrëshe, me vija dhe lule, dhe çdo gotë është unike. Një gotë e madhe nga kjo kompani mund të arrijë deri në 167 dollarë, çka tregon edhe vlerën e këtyre kujtimeve ekskluzive.
Duke marrë parasysh shijen e njohur të Lauren Sanchez për modën dhe aksesorët e shtrenjtë nuk do të ishte çudi nëse në paketat e dhuratave përfshihen edhe produkte nga markat më të njohura. Vlerësimet tregojnë se shpenzimet totale të dasmës mund të variojnë nga 15 deri në 20 milionë dollarë, përfshirë udhëtimet, logjistikën, shërbimin ushqimor të nivelit të lartë, argëtimin dhe veshjet luksoze të nuses.
Sa i përket Bezos, ai nuk ka pasur një rol aktiv në organizimin e eventit. Në një intervistë për Vogue në vitin 2023, ai u shpreh se ia ka lënë me kënaqësi planifikimin Lauren-it, duke u dhënë fansave një pasqyrë më të thellë të karakterit të saj./ TAR