
Kryedemokrati Sali Berisha komentoi rinumërimin qe po vijon me votat e Tiranës duke thënë se ajo ishte kërkesë e kandidatëve dhe jo e partisë e cila ka të tjera pretendime për zgjedhjet.
“Çështja e numërimit të votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë. Të paktën kjo është e 5-ta herë që para jush sqaroj. Nuk është një kërkesë primare e PD-së, jo. Jo dhe jo. Ta ketë të qartë çdo njeri. Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve dhe unë mund t’ju theme se, tre janë linjat kryesore të kontrollit që ne bëjmë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se Partia Demokratike ka dërguar te ndërkombëtarët raportin për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndonëse sipas tij, nuk është përfunduar.
“Raporti për farsën elektorale është në tërësi gati, shkeljet i janë dërguar institucioneve që vëzhguan zgjedhjet”, tha ai.
Në daljen e tij të parë në media pas një mungese disa ditore Berisha denoncoi atë që e quajti lidhte të deputetit të sapo zgjedhur të Durrësit për socialistët Arkend Balla me bandat.
Berisha në fund shpjegoi se përse nuk kishte qenë aktiv gjatë këtyre ditëve.
“Unë një ditë po pata problem shëndetësor, unë njoftoj publikun. Kisha një gjendje virale e cila kaloi pa asnjë ndërlikim të veçantë. Kjo është”, u shpreh kreu i PD.
Top Channel