Turizmi në lupën e tatimeve/ Përgatitet plani, nga deklarimi i pagave dhe kapaciteteve deri te referencat në paga

18/06/2025 19:47

Duke nisur nga veriu e deri në skajin më jugor të Shqipërisë, të gjitha bizneset që operojnë përgjatë bregdetit do të jenë nën lupën e Tatimeve.

Për të evidentuar numrin e punonjësve të padeklaruar, numrin e bizneseve që paguajnë TVSH apo tatim fitimi, apo edhe shfrytëzimin e hoteleve e deri te prerja e faturave. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përgatitur një plan masash me 14 pika për të goditur evazionin dhe për të ulur informalitetin.

Në dokumentin e publikuar nga ky institucion, specifikohet se kontrollet do të jenë javore e të përqendruara kryesisht gjatë gjithë periudhës së sezonit veror.

Pano Soko, ekspert ekonomie: “Në momentin që DPT nuk shkon për të kontrolluar në mënyrë efektive, por shkon me një ide të qartë për të realizuar një shumë të ardhurash, atëherë ka shumë shanse që këto aksione të bëhen të tilla ku synohet goditja e biznesit për të realizuar të ardhura financiare dhe më pas i lihet në dorë që të vejë të ankimojë në gjykatë nëse i është shkelur e drejta. Jo e përqendruar gjatë sezonit, se duket sikur i prish punë sezonit sesa buxhetit të shtetit.”

Për të evidentuar nëse deklarohen çmimet reale të dhomave, do të bashkëpunohet me platformat Booking, Airbnb. Por kontrolli do të shtrihet edhe më tej, duke prekur edhe pagat e punonjësve.

Pjesë e këtij plani janë edhe referencat e pagave në këtë sektor. Një minimum do të vendoset: konkretisht 50 mijë lekë për rojet, 70 mijë për kamerierët dhe minimumi 140 mijë lekë për kuzhinierët. Ata që deklarojnë më pak, do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar.

Pano Soko, ekspert ekonomie: “Vendosja e arbitrariteteve të tilla pa një analizë të mirëfilltë risku lë hapësirë për të mos qenë efektive në realizimin e të ardhurave.”

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, këto masa do të shtrihen nga strukturat akomoduese, hotelet, bar-restorantet, agjencitë turistike, dhënia me qira e makinave dhe mjeteve të transportit ujor.

Top Channel