“Lufta” për stadiumin, Xhaferi: Do luajmë në Elbasan/ Reagimi i kryebashkiakut Beci shuan përplasjet në Shkodër: Koncerti do zhvendoset, suksese Vllaznisë

18/06/2025 16:57

Vllaznia nuk do ta luajë në Shkodër ndeshjen e parë të raundit kualifikues të Ligës së Konferencës, ku shkodranët do të përballen me skuadrën letoneze të Daugavpils.

Me anë të një komunikate në rrjetet sociale, presidenti i klubit, Alban Xhaferi ka njoftuar tifozët se pas konsultimit me FSHF-në dhe UEFA-n, u vendos se zgjedhja më e mirë do të ishte që ndeshja të luhej në Elbasan.

Një ditë më parë, në një intervistë për “Shqipëria Live”, Xhaferi tregoi shkaqet se përse sfida rrezikohej të luhej në stadiumin “Loro Boriçi”, kjo për shkak të një koncerti i organizuar nga Bashkia Shkodër që do të mbahej po në atë stadium pak ditë para duelit për Kupat e Europës.

Ai madje kërcënoi bashkinë se do të ndiqte rrugë ligjore, nëse do të vijonte me organizimin e eventeve josportive pranë ditëve të ndeshjeve.

“Të dashur tifozë të Vllaznisë dhe qytetarë të Shkodrës,

Sot jemi përballë një realitet të dhimbshëm.

KF Vllaznia, për herë të parë në historinë e saj 106-vjeçare, nuk do ta zhvillojë në Shkodër ndeshjen ndërkombëtare për Kupat e Europës.

Kjo është një plagë për sportin, për qytetin dhe për të gjithë ata që ndihen pjesë e kësaj historie.

Mbas komunikimeve të pandërprera me FSHF dhe UEFA kanë sugjeruar që në këtë situatë nuk kemi zgjidhje tjetër vetëm se të luajmë në një stadium tjetër të liçensuar .

Jemi detyruar ta zhvendosim ndeshjen në Elbasan Arena, për shkak të një vendimi të njëanshëm dhe të pashpjegueshëm të Bashkisë Shkodër, e cila ka vendosur që të zhvillojë koncert në stadiumin “Loro Boriçi”, duke shpërfillur çdo marrëveshje zyrtare , duke injoruar plotësisht klubin, insitucionet zyrtare te futbollit Shqiptar, çdo paralajmërim dhe mbi të gjitha, duke injoruar interesin e qytetit.

KF Vllaznia është udhëhequr në këtë situatë nga një parim i vetëm: të mbrojë dinjitetin e klubit dhe të mos lejojë që për hir të eventeve të përkohshme të cenohet emri dhe serioziteti i tij në arenën ndërkombëtare.

E them me bindje: ky nuk është vendim përçarës, por vendim i pjekur, i matur dhe i drejtë.

Jam i bindur që çdo autoritet që ndjek me kujdes zhvillimet në vend, do ta kuptojë qartë ku qëndron përgjegjësia.

TIFOZË TË VLLAZNISË – KOHA PËR T’U BËRË NJË!

Ne do të luajmë në Elbasan, por me zemrën në Shkodër.

Ejani të gjithë bashkë, me zërin dhe ngjyrat kuqeblu, që të tregojmë qytetari dhe ta mbështesim djemtë tone si asnjëherë tjetër në rrugëtimin tonë Europian

Vllaznia është krenaria jonë dhe nuk përkulet para askujt!”, shkruan Xhaferi.

Por nga ana tjetër, nuk mungoi dhe reagimi i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, i cili u shpreh se koncertin do ta zhvendoste në oborrin pranë bashkisë, duke mos penguar Vllazninë në aventurën europiane.

“Të nderuar bashkëqytetarë!

Këto ditë jemi të gjithë dëshmitarë të një debati artificial e qartazi të nxitur nga interesa personale lidhur me përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi” për realizimin e koncertit të Mjeshtrit të Madh Bujar Qamili.

Me stafin e bashkisë kemi bashkëpunuar me shumë dëshirë për të krijuar mundësinë e një koncerti të veçantë për një nga artistët më të rëndësishëm të këngës popullore shkodrane, dhuratë për të gjithë artdashësit. Sigurisht duke pasur parasysh funksionin kryesor sportiv të stadiumit, organizimi i koncertit është menduar në mënyrë të tillë që të mos cenojë në asnjë mënyrë fushën, si dhe stadiumi të jetë në gjendje optimale për ndeshjet ndërkombëtare të Vllaznisë.

Njëkohësisht kuptoj se një valë informacionesh të pavërteta rreth dëmit që mund t’i sjellë stadiumit organizimi i koncertit ka shqetësuar jo pak tifozë të Vllaznisë.

Njerëzit shpesh e kanë të thjeshtë të përfshihen nga tymnaja që kërkon ta çojë vëmendjen në frikëra të panevojshme, kur s’ka mundësinë të përballet me ato reale.

Koha është gjithmonë e duhura për të treguar çfarë është realisht problem e cilat janë qëllimet që nxisin palët në këto qëndrime kundërshtuese.

Por si drejtues i Bashkisë Shkodër nuk kam asnjë dëshirë që, edhe në mënyrë të paqëllimshme, organizimet e institucionit që ju më keni dhënë privilegjin të drejtoj, të shfrytëzohen për të krijuar ndasi apo përballje artificiale.

Me tagrin që më jep detyra, por mbi të gjitha me dëshirën e fortë që festa e dikujt të mos krijojë shqetësime tek askush tjetër, dua t’ju njoftoj se ne do ta zhvendosim koncertin në oborrin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shkodranë para Bashkisë Shkodër. Duke i uruar suksese Vllaznisë në aventurën evropiane ju ftoj të gjithëve të jemi pjesë e koncertit madhështor të këngëtarit Bujar Qamili në mbrëmjen e  21 qershorit.

Le të shërbejë ky koncert edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë, simbol i qytetit tonë.

Jam i sigurt që do të jetë një mbrëmje e paharrueshme!”, shkruan kryebashkiaku i Shkodrës.

Top Channel