
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) paralajmëron investitorët shqiptarë se platforma e investimeve NetherexPro nuk është e licencuar, as e regjistruar dhe as e njohur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Sipas AMF-së, mbështetur në ligjin “Për Tregjet e Kapitalit” dhe ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime të lidhura me investime në tituj apo tregtimin e njësive digjitale dhe/ose monedhave virtuale, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pa u licencuar, regjistruar apo njohur më parë nga ky Autoritet.
“Çdo investim në këto platforma mund të rezultojë me humbjen e të gjitha parave të investuara në mënyrë të pakthyeshme.”
Kjo platformë mundëson investimet online, në tregtimin e kriptovalutave, kryesisht në Bitcoin. Investitorët duhet të jenë të qartë se nuk do t’u mbrohen interesat e tyre kur investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara, të paregjistruara apo të panjohura nga AMF.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thekson se lista e subjekteve të licencuara ndodhet në rubrikën “Regjistri i të Licencuarve” në faqen zyrtare të Autoritetit, listë e cila përfshin vetëm bankat tregtare, Postën Shqiptare dhe një shoqëri për ofrimin e shërbimeve të investimit.
Pavarësisht se ky ligj është në fuqi prej 5 vitesh, deri më sot AMF nuk ka licencuar asnjë subjekt që ofron shërbime të investimit në kriptovaluta.
Top Channel