
Për të përmirësuar sigurinë energjetike në vend, Shqipëria po përshpejton punimet në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me vendet e rajonit.
Një sërë projektesh janë drejt përfundimit, ndërsa për disa të tjera do të nisë edhe studimi i fizibilitetit. Nga Fieri, drejtori i projekteve të huaja pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit ndau edhe detajet më të fundit të projekteve.
Dorjan Sejamini, drejtori i projekteve të huaja pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit: “Ne jemi të lidhur nëpërmjet linjës 400 kV me Kosovën. Projekti aktual është me Maqedoninë e Veriut, ku po bëjmë edhe studimin e fizibilitetit për linjën Shqipëri – Greqi, dhe ne arrijmë të lidhemi me linja 400 kV me të gjithë fqinjët tanë. Ndërkohë, pas kësaj vjen në radhë lidhja me kabllo nënujore me Italinë.”
Projekti më i avancuar është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut, që pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
Një linjë e tillë do të japë mundësinë që në rast mbiprodhimi të shkëmbejmë energji me Maqedoninë e Veriut dhe, në rast nevoje, të marrim energji.
Julian Angoni, menaxher projekti: “Pothuajse kanë mbaruar punimet civile. Do të fillojnë së shpejti punimet mekanike, transformatorët janë prodhuar dhe nga shtatori duhet të jenë të montuar. E njëjta situatë është me nënstacionin e Elbasanit, po ashtu edhe linja është me ritme të mira.”
Projekti përfshin ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Fier, me gjatësi totale prej 130 km, ngritjen e nënstacionit të ri 400 kV “Elbasan 3” si dhe zgjerimin e nënstacionit Fier.
Një studim fizibiliteti po bëhet edhe për një linjë të re 400 kV me Greqinë. Paralelisht po punohet edhe për lidhjen nënujore me Italinë, ku institucionet shqiptare po kërkojnë fonde për të financuar studimin e fizibilitetit.
Top Channel