
Ky çift pensionistesh italian kanë zgjedhur qytetin e Lezhës për të kaluar vitet e pensionit/pleqërisë.
Franko dhe Maria, të cilët vizituan Shqipërinë për herë të parë si turistë tre vite më parë, vendosën të qëndrojnë përgjithmonë, duke lënë pas jetën në kryeqytetin italian, Romë.
Kostoja e ulët e jetesës është një nga arsyet që ka bërë çiftin italian të zgjedhin Lezhën për të jetuar vitet e pleqërisë.
“Jam Franco 72 vjeç, kam tre vite që jetoj në Shqipëri. Fillimisht zgjodhëm të jetonim se ja vlente ekonomikisht, tani na pëlqen Lezha dhe është kënaqësi të jetosh këtu. Kostoja e jetesës është e ulët. Qëndroj në shtëpi, dhe do të vazhdoj të qëndroj këtu. Fëmijët i kemi të rritur, janë të martuar dhe jetojnë në Itali”, thotë Franko.
“Jam Maria. E bëj vajtje ardhje, vij shpesh të takoj burrin. Ndihem shumë mirë, këtu është shumë qetë. Njerëzit na kanë pritur shumë mirë, jemi miqësuar me ta. Ja vlen të jetosh këtu pasi ka ngjashmëri me Italinë e 30 viteve më parë”, u shpreh Maria.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Shqipëri janë rezidentë rreth 23 mijë shtetas të huaj, shumica e të cilëve jetojnë në qytete bregdetare.
Megjithatë, raste si ai i Frankos dhe Marisë tregojnë për një tendencë në rritje të shtetasve të huaj, veçanërisht pensionistëve europianë që zgjedhin qytete më të vogla dhe të qeta si Lezha për të jetuar.
Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë e favorshme për të huajt që kërkojnë një jetë të qetë, me klimë të butë dhe me një nivel jetese më të përballueshëm se në vendet e tyre të origjinës.
Top Channel