Ndryshon buxheti, alokohen 11.8 miliardë lekë/ Garanci e re sovrane për bujqësinë, më shumë para për sigurinë digjitale

13/06/2025 12:35

Nëpërmjet një akti normativ të datës 11 qershor Këshilli i ministrave ka ndryshuar buxhetin për vitin 2025.

Pas një analize për 5 muajt e parë të vitit, 11.8 miliardë leke do të alokohen apo rialokohen në mbështetje të sektorëve prioritarë, por edhe në nxitjen e mëtejshme të investimeve publike.

Siguria digjitale do të marrë dhe vëmendjen kryesore. Pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë në formën e një rialokimi në drejtim të sigurisë digjitale dhe rritjes ekonomike.

Rishikimi i buxhetit përfshin dhe sektorin e Bujqësisë. Po kështu janë shtuar fondet për skemën e bujqësisë, ku fondi i garancisë sovrane nga 2 miliardë lekë (20 mln euro) që ishte është rritur me 1 miliardë lekë (10 milionë euro). Pra fermerët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme do të kenë në total në dispozicion 30 milionë euro garanci sovrane, e cila do tu japë mundësi atyre të marrin kredi me interesa të favorshme pranë bankave të nivelit të dytë.

Garancia do të shërbejë për rritjen e aksesit në financë kryesisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë.

Ndërsa një rishpërndarje fondeve të brendshme do të kryhet në kuadër të përmirësimeve në teknologjinë e informacionit në administratën publike.

Pavarësisht ndryshimeve, deficiti buxhetor mbetet në nivelin prej 68.1 miliardë lekësh, pa asnjë rritje, dhe borxhi publik nuk pëson ndryshime.

Top Channel