
Fermerët e prekur nga murtaja e ruminantëve nuk janë dëmshpërblyer, kjo sepse sëmundja e murtajës nuk është pjesë e kalendarit të infeksioneve të dëmshpërblimit.
Blegtoria shqiptare prekët për herë të parë nga murtaja që shfaros bagëtinë e imët. Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço, thotë se nëse Ministria e Bujqësisë nuk dëmshpërblen në kohë fermerët, pasojat në ekonominë blegtoriale do të jenë më negative.
“Ne gjithmonë e më tepër po varemi nga importet për sa i përket blegtorisë, pra produkteve të mishit dhe të qumështit. Në të tilla kushte ku ndodhet fermeri shqiptar, që do të thoja që është në përmasat e tragjikës, sepse të njëjtën gjë e pamë në Greqi. Duhet menjëherë mbështetje, subvencionim ndaj fermerëve shqiptarë që kjo zgjidh pjesërisht problemin”, thotë Muço.
Murtja e ruminantëve është tepër e rrezikshme, pasi ky infeksion shkakton mortalitet të lartë të delet dhe dhitë. Kjo do të thotë që në Shqipëri do të mungojë mishi dhe qumështi i tyre. Nga ana tjetër, sezoni turistik rrit kërkesat për produktet vendase, kjo kërkesë do të ndikojë në rritjen e çmimit të bulmetit.
Eksperti i ekonomisë, Majlind Lazimi thotë: “Kërkesa dhe oferta do të diktojnë çmimet, mungesa e produkteve shqiptare do të duhet të kompensohet me produktet e importit të cilat, gjithashtu për shkak të regjimit taksor, do të vijnë me çmim më të lartë. Kështu që nevoja për të pasur produkte shqiptarë cilësorë dhe sasiorë duhet të jetë prioritet i qeverisë.”
Një kilogram djathë, gjalpë dhie dhe dele shqiptarë do të kushtojë më tepër nëse Ministria e Bujqësisë nuk zëvendëson në kohë krerët e prekur nga murtaja.
“Çmimet, koha ka treguar, që në Shqipëri nuk ka një limit, tendenca është që të kemi një rritje dyshifrore në vit, duke dëmtuar konsumatorët shqiptarë dhe turizmin”, shton Klodian Muço.
Murtaja e ruminantëve deri më tani është e përhapur në katër vatra: Shkodër, Dibër, Bulqizë dhe Korçë. Masat parandaluese nuk po e stopojnë dot përhapjen e murtajës.
Top Channel